Shpërndaje në: Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se vetëm kompromisi për postin e presidentin do të mund ta zgjidhte ngërçin politik. Sipas tij, kjo është alternativa e vetme që u ka mbetur partive deri në konstituimin e Kuvendit.
“Alternativa e vetme ka mbetur qoftë një marrëveshje për presidentin, qoftë një marrëveshje politike gjithëpërfshirëse edhe për presidentin e edhe për pjesëmarrje në qeverisje… Do të duhej të arrihej kompromis dhe unë mendoj se do të duhej të kishte marrëveshje për presidentin sepse ajo është nyja, ngërçi, thembra e Akilit”, ka thënë ai të enjten në “60 Minuta” të KTV-së.
Baraliu më tej ka akuzuar partitë politike për lojëra të papjekura dhe të papranueshme juridikisht, duke thënë se qytetari po përbuzet dhe nënçmohet.
“Duhet ta kuptojnë këto parti politike që lojërat e tilla dhe të papjekura politikisht e të papranueshme juridikisht dhe logjikisht e në pikëpamje të shtetit, respektimit dhe përgjegjësisë që duhet të kemi ndaj institucioneve të shtetit, nuk janë të pranueshme dhe duhet të ndërpriten.
Nuk duhet të maltretohet qytetari, jo vetëm se jemi të stresuar, të bllokuar e të pakënaqur në pritje, në ankth. Por jemi definitivisht të nënçmuar e të përbuzur”, është shprehur ai.
Sipas Baraliut, gjatë dy vjetëve të fundit nuk është parë tjetër përveçse “një lakmi patologjike të subjekteve politike për të pasur sa më shumë pushtet e jo për të stabilizuar shtet, për të ndihmuar shtetin e ekonominë”.
