Nga: Elda Islami Shpërndaje në: Mbi 40 punëtorë të sektorit të arsimit në komunën e Fushë-Kosovës janë duke punuar pa paga që nga shtatori i vitit të kaluar. Komuna fajëson ish-pushtetin për situatën e krijuar, teksa tha se për 18 prej tyre është bërë zgjidhje për tash e tutje e për 25 të tjerët pritet të shihet. Po ashtu, nuk ka premtuar se do të shlyejë borxhin e deritashëm.
Ndërkohë, para dy ditësh ka hapur konkurs edhe për 27 mësimdhënës të tjerë Fushë-Kosovë, 5 gusht – Nga shtatori i vitit të shkuar, mbi 40 punëtorë të arsimit në komunën e Fushë-Kosovës po punojnë pa paga. 18 mësimdhënës e 25 punëtorë teknikë, që u punësuan përmes konkursit të hapur në korrik të vitit 2025, nuk janë përfshirë në listën e pagave.
Në rrjetet sociale, disa nga mësimdhënësit kanë shprehur ankesa, por asnjëri nuk ka pranuar të flasë edhe para kamerës për këtë çështje. Drejtori i Arsimit në Fushë-Kosovë, Sabri Xhigoli, ka fajësuar pushtetin e kaluar për këtë situatë.
“Nga shtatori e këndej këtë mësimdhënës deri në këto momente që po flasim, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të qeverisjes nga dhjetori e këndej, nuk ka paga të realizuara. Tash mungesa e buxhetit. Do të thotë nuk është planifikuar buxhet nga paraardhësit për pagat e këtyre punonjësve”, ka thënë Xhigoli.
Edhe Arbëri 6 min. më parë Pacientët me kancer që blejnë vetë terapinë kërkojnë kompensim – shteti hesht Deri vjet, Fushë-Kosova udhëhiqej nga LDK-ja, e tash nga VV-ja. Më 29 qershor, komuna njoftoi se pagat për këta punëtorë janë siguruar, por korriku ka kaluar dhe kjo nuk ka ndodhur. Sipas drejtorit Xhigoli, kanë dalë disa probleme. Sipas tij, për 18 mësimdhënësit është gjetur zgjidhja.
Ata nga gushti e tutje, pritet të marrin rrogë nga buxheti i konsoliduar i Kosovës për paga dhe mëditje, por jo edhe për punëtorët teknikë. “Për ta, zgjidhja qysh është realizuar për mësimdhënësit, për ta s’është realizuar ende.
Është një ide – ndoshta jeni të informuar – se me një vendim të Qeverisë është lejuar të themelohet një ndërmarrje lokale publike për Komunën e Fushë-Kosovës dhe ideja është që i gjithë stafi teknik të delegohet në kuadër të kësaj ndërmarrjeje, përfshirë edhe këta punëtorë teknikë që janë gjithsej 25.
Aty do t’i realizojnë pagat sipas koeficientëve që kanë, në përputhje me rregullat, kontratat dhe dokumentacionin ekzistues”, ka bërë të ditur Xhigoli. E për 12 pagat që nuk janë ekzekutuar deri tash, drejtori Xhigoli tha se mbetet të shihet se si do të veprohet. E me gjithë problemin e pagesave të mësimdhënësve, komuna para dy ditësh, ka hapur konkurs edhe për 27 mësimdhënës të tjerë.
Sipas drejtorit Xhigoli, garanci për paga nuk ka as për ata që do të punësohen. E Haki Krasniqi nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit tha se mësimdhënësit e prekur e kanë përjetuar rëndë këtë periudhë.
Edhe Arbëri 1 o. më parë Një shtetase e huaj infektohet me malaria, por trajtohet në QKUK “Ka punëtorë që kanë ardhur në zëvendësim në pushim të lehonisë dhe nuk janë futur fare në listën e pagave. Ka raste kur e kanë përfunduar tërësisht angazhimin dhe nuk kanë hyrë asnjëherë në listën e pagave… Është shumë e vështirë.
Neve na vonohet një ditë paga dhe e ndiejmë, e lëre më dikush që ka punuar nëntë muaj dhe nuk ka marrë asnjë pagë”, ka deklaruar Krasniqi. Nga Ministria e Arsimit nuk kanë kthyer përgjigje lidhur me kërkesën e kësaj komune për ndihmë, e as në pyetjen se si presin të ketë performancë nga mësimdhënësit kur ata nuk paguhen.
