Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se në takimin e sotëm me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje, me qëllim konstituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.
Kurti tha se synimi i Lëvizjes Vetëvendosje është që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të formohet Qeveria dhe më pas të zgjidhet edhe presidenti i vendit. Ai bëri të ditur se takimi me Abdixhikun do të zhvillohet në formatin “1+1”, ndërsa nga ana e tij do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së.
Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, tha Kurti. Ai theksoi se takimi me LDK-në ka për synim zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve të reja.
“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030.
Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, tha ai. Kurti shtoi se në takim do të marrë pjesë me gatishmëri për kompromis, ndërsa rezultatet do të varen nga diskutimet mes palëve.
“Unë shkoj me vullnet të mirë, shkoj me gatishmëri për marrëveshje dhe natyrisht që hollësitë e diskutimeve do të mund të vijnë në shprehje vetëm pas takimeve dhe pas marrëveshjeve, përkatësisht pas suksesit për të cilin urojmë sepse punojmë”, tha Kurti. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
