UEFA pritet të zhvillojë bisedime në ditët në vijim për mundësinë e bojkotimit të Kupës së Botës për Klube të FIFA-s në vitin 2029, ndërsa presidenti i saj, Aleksander Čeferin, raportohet se është i gatshëm ta mbështesë këtë ide.
Javën e kaluar, UEFA kërcënoi se do të bojkotonte Kupën e Botës për meshkuj dhe femra nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të vazhdonte me planin për shitjen e aksioneve të pakicës në turnetë e Kupës së Botës përmes një skeme investimi privat.
Propozimi i Infantinos synonte sigurimin e mbi 20 miliardë dollarëve investime private përmes një kompanie të re të quajtur FIFA Forward Enterprise. Kompania amerikane Thrive Capital pritej të udhëhiqte grupin e investitorëve.
Ajo është në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, çka shkaktoi polemika të mëtejshme rreth projektit. Pas kundërshtimeve të shumta nga bota e futbollit dhe refuzimit të konfederatave kontinentale për ta mbështetur planin, FIFA njoftoi të shtunën se projekti ishte anuluar.
Si pasojë, pozita e Infantinos në krye të FIFA-s është bërë më e pasigurt. Këshilltari i tij i lartë, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen të premten, duke e cilësuar planin si “një marrëveshje të keqe për futbollin” dhe duke pretenduar se nuk ishte konsultuar. Edhe drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, deklaroi se ishte ndier “i mashtruar” nga Infantino.
Presidenti zviceran synon të kandidojë për një mandat të katërt në vitin 2027 dhe, sipas raportimeve të mëparshme, më shumë se 200 nga 211 federatat anëtare kishin mbështetur kandidaturën e tij. Megjithatë, situata ka ndryshuar.
Disa federata kanë tërhequr publikisht mbështetjen, përfshirë ato të Uellsit dhe Suedisë, ndërsa edhe Federata Angleze pritet të bëjë të njëjtën gjë në ditët në vijim. Tashmë konsiderohet pothuajse e sigurt se Infantino do të përballet me të paktën një rival serioz në zgjedhjet që do të zhvillohen gjatë Kongresit të 77-të të FIFA-s në Rabat të Marokut, në muajin mars.
Sipas “talkSPORT”, Čeferin synon ta dobësojë më tej pozitën e Infantinos duke shtyrë përpara idenë e bojkotimit të Kupës së Botës për Klube në vitin 2029. Turneu i zgjeruar për meshkuj, i propozuar fillimisht nga Infantino në vitin 2019, u zhvillua për herë të parë në vitin 2025, me 12 nga 32 klubet pjesëmarrëse që vinin nga UEFA.
Ndërkohë, edicioni i parë i Kupës së Botës për Klube për femra, me 19 skuadra, është planifikuar të zhvillohet në janar të vitit 2028. Raportohet se Čeferin do të zhvillojë një takim me presidentin e Shoqatës së Klubeve Evropiane (EFC), Nasser Al-Khelaifi, i cili është gjithashtu president i PSG-së, gjatë finales së Superkupës së UEFA-s mes PSG-së dhe Aston Villas më 12 gusht.
Një nga temat kryesore të diskutimit pritet të jetë pikërisht bojkoti i Kupës së Botës për Klube. Al-Khelaifi mori drejtimin e EFC-së në vitin 2021 dhe pati rol të rëndësishëm në pengimin e projektit të Superligës Evropiane, pasi pasoi Andrea Agnelli, i cili dha dorëheqje pas mbështetjes së Juventusit për krijimin e Superligës.
Sipas raportimeve, edhe nëse nuk vendoset bojkot, Kupa e Botës për Klube nuk do të marrë mbështetjen e EFC-së derisa të sqarohen elementët kryesorë, si modeli i financimit dhe vendi ku do të zhvillohet turneu. Megjithatë, Čeferin synon që EFC-ja të deklarojë se nuk do të marrë pjesë në këtë garë për sa kohë që Infantino mbetet president i FIFA-s.
Emri që po përmendet më së shumti si rivali kryesor i Infantinos është presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani. Biznesmeni kanadez, ish-president i Federatës së Futbollit të Kanadasë, luajti rol të rëndësishëm në organizimin e Kupës së Botës me 48 kombëtare këtë verë dhe raportohet se tashmë po përgatit kandidaturën e tij.
Sipas “The Telegraph”, Montagliani shihet nga shumë federata si një figurë bashkuese. Fakti që presidenti i fundit i FIFA-s pa lidhje me UEFA-n ishte braziliani João Havelange, i cili u largua nga posti në vitin 1998, mund të jetë një avantazh për të. Ndërkohë, emrat e tjerë mbeten në nivel spekulimesh.
Raportohet se Nasser Al-Khelaifi do të kishte mbështetjen e shumë federatave nëse do të kandidonte për president të FIFA-s, por ekzistojnë dyshime nëse ai dëshiron të hyjë në garë. E njëjta situatë vlen edhe për vetë Čeferinin.
Ndër kandidatët e mundshëm përmendet edhe presidenti i AFC-së, Sheikh Salman bin Ebrahim Al Khalifa, mandati i të cilit në krye të konfederatës aziatike përfundon në vitin 2027. Po ashtu, “talkSPORT” raportoi javën e kaluar se edhe pronari i Legia Varshavës, Dariusz Mioduski, është diskutuar nga federatat anëtare të UEFA-s si një kandidat surprizë për presidencën e FIFA-s.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
