UEFA pritet të zhvillojë bisedime në ditët në vijim për mundësinë e bojkotimit të Kupës së Botës për Klube të FIFA-s në vitin 2029, ndërsa presidenti i saj, Aleksander Ceferin, raportohet se është i prirur ta mbështesë këtë ide.
Javën e kaluar, UEFA kërcënoi se do të bojkotonte Kupën e Botës për meshkuj dhe femra nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, do të vazhdonte me planin për shitjen e aksioneve të pakicës në turnetë e Kupës së Botës përmes një skeme investimi privat.
Propozimi i Infantinos synonte të siguronte mbi 20 miliardë dollarë investime private përmes një kompanie të re të quajtur FIFA Forward Enterprise. Kompania amerikane Thrive Capital pritej të udhëhiqte grupin e investitorëve.
Ajo është në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, gjë që shkaktoi edhe më shumë polemika rreth projektit. Pas kundërshtimeve masive nga bota e futbollit dhe refuzimit të konfederatave kontinentale për ta mbështetur planin, FIFA njoftoi të shtunën se projekti ishte anuluar.
Si pasojë, e ardhmja e Infantinos në krye të FIFA-s duket më e pasigurt se kurrë. Këshilltari i tij i lartë, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen të premten, duke e cilësuar planin si “një marrëveshje të keqe për futbollin” dhe duke pretenduar se nuk ishte konsultuar. Edhe drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, deklaroi se ishte ndier “i mashtruar” nga Infantino.
Presidenti zviceran synon të kandidojë për një mandat të katërt në vitin 2027 dhe, sipas raportimeve të mëparshme, mbi 200 nga 211 federatat anëtare kishin mbështetur kandidaturën e tij. Megjithatë, situata ka ndryshuar ndjeshëm.
Disa federata kanë tërhequr publikisht mbështetjen, mes tyre ato të Uellsit dhe Suedisë, ndërsa edhe Federata Angleze pritet të bëjë të njëjtën gjë në ditët në vijim. Tashmë duket pothuajse e sigurt se Infantino do të përballet me të paktën një kundërshtar serioz në zgjedhjet që do të mbahen gjatë Kongresit të 77-të të FIFA-s në Rabat të Marokut, në muajin mars.
Sipas “talkSPORT”, Ceferin dëshiron ta dobësojë edhe më tej pozitën e Infantinos duke shtyrë përpara idenë e bojkotimit të Kupës së Botës për Klube në vitin 2029. Turneu i zgjeruar për meshkuj, i propozuar fillimisht nga Infantino në vitin 2019, u zhvillua për herë të parë në vitin 2025, me 12 nga 32 klubet pjesëmarrëse që vinin nga UEFA.
Ndërkohë, edicioni i parë i Kupës së Botës për Klube për femra, me 19 skuadra, është planifikuar të zhvillohet në janar të vitit 2028. Raportohet se Ceferin do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryetarin e Shoqatës së Klubeve Evropiane (EFC), Nasser Al-Khelaifi, i cili është gjithashtu president i PSG-së, gjatë finales së Superkupës së UEFA-s mes PSG-së dhe Aston Villas më 12 gusht.
Një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë pikërisht bojkoti i Kupës së Botës për Klube. Al-Khelaifi mori drejtimin e EFC-së në vitin 2021 dhe pati rol kyç në pengimin e projektit të Superligës Evropiane, pasi pasoi Andrea Agnelli, i cili dha dorëheqje pasi Juventusi mbështeti krijimin e Superligës.
Sipas raportimeve, edhe nëse nuk vendoset bojkot, Kupa e Botës për Klube nuk do të marrë mbështetjen e EFC-së derisa të sqarohen elementët kryesorë, si modeli i financimit dhe vendi ku do të zhvillohet turneu. Megjithatë, Ceferin synon që EFC-ja të deklarojë se nuk do të marrë pjesë në këtë garë për sa kohë që Infantino mbetet president i FIFA-s.
Emri që po përmendet më së shumti si rivali kryesor i Infantinos është presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani. Biznesmeni kanadez, ish-president i Federatës së Futbollit të Kanadasë, luajti rol të rëndësishëm në organizimin e Kupës së Botës me 48 kombëtare këtë verë dhe raportohet se tashmë po përgatit kandidaturën e tij.
Sipas “The Telegraph”, ai shihet nga shumë federata si një figurë bashkuese. Gjithashtu, fakti që presidenti i fundit i FIFA-s që nuk kishte lidhje me UEFA-n ishte braziliani João Havelange, i cili u largua nga posti në vitin 1998, mund të jetë një avantazh për të. Pjesa tjetër e emrave mbetet në nivel spekulimesh.
Raportohet se Al-Khelaifi do të kishte mbështetjen e shumë federatave nëse do të kandidonte për president të FIFA-s, por ekzistojnë dyshime nëse ai ka dëshirë të hyjë në garë. E njëjta situatë vlen edhe për vetë Ceferinin.
Ndër kandidatët e mundshëm përmendet edhe presidenti i AFC-së, Sheikh Salman bin Ebrahim Al Khalifa, mandati i të cilit në krye të konfederatës aziatike përfundon në vitin 2027. Po ashtu, “talkSPORT” raportoi javën e kaluar se edhe pronari i Legia Varshavës, Dariusz Mioduski, është diskutuar nga federatat anëtare të UEFA-s si një kandidat surprizë për presidencën e FIFA-s.
