Në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës është mbajtur mbledhja e parë e Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke shënuar nisjen e fazës së koordinimit institucional për projektin më të madh sportiv në historinë e Kosovës.
Në takim morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministri në detyrë për Sport, Blerim Gashani, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, presidenti i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, si dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.
Kryeministri në detyrë Kurti “LM Prishtina 2030” i quajti projekt të përbashkët me rëndësi shtetërore e kombëtare. “Lojërat mesdhetare ‘Prishtina 2023’, janë nga projektet më të rëndësishme që Kosova do të realizojë në vitet e ardhshme.
Për herë të parë Kosova do të mirëpresë një ngjarje sportive të kësaj përmasë duke sjellë se bashku sportistë, delegacione dhe partnerë nga vendet e ndryshme të botës.
Për Kosovën kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të dëshmuar kapacitet tona organizative për të avancuar sportin dhe infrastrukturën sportive dhe për ta përqendruar vendin tonë para një audiencë e gjerë ndërkombëtare”, ka thënë Kurti. “’Prishtina 2030’ është projekt i përbashkët më rëndësi shtetërore e kombëtare i cili kërkon vizion afatgjatë.
Qeveria e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar që ky proces të zhvillohet mbi parimet e bashkëpunimit ndërinstitucional, transparencës, llogaridhënies dhe standardëve të larta të menaxhimit”, thekoi ai.
Gjatë mbledhjes u theksua përkushtimi i Qeverisë për realizimin e këtij projekti strategjik shtetëror, ndërsa Komiteti Organizativ u vlerësua si mekanizmi kryesor që do të koordinojë punën mes institucioneve dhe zbatimin e projekteve infrastrukturore.
Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 do të jenë ngjarja më e madhe shumë-sportëshe e organizuar ndonjëherë në Kosovë dhe një mundësi për të dëshmuar aftësinë e vendit në organizimin e eventeve të mëdha ndërkombëtare.
