Takimi Kurti–Abdixhiku, analistët: Sot mund të hapet rruga për

0%

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojnë sot një takim në orën në objektin e Kuvendit të Kosovës. Takimi vjen në një periudhë të ndjeshme politike, vetëm pak ditë para seancës konstituive të Kuvendit dhe ndërsa partitë po kërkojnë një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja.

Në fokus të diskutimeve pritet të jenë mundësitë e bashkëpunimit mes subjekteve politike, si dhe hapat që mund të çojnë drejt tejkalimit të ngërçit institucional. Takimi Kurti–Abdixhiku shihet si një mundësi për të testuar gatishmërinë për marrëveshje politike, në një kohë kur stabiliteti institucional mbetet sfida kryesore.

Ftesë për takim kanë pasur edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por ato kanë mbajtur qëndrime të ndryshme. PDK-ja ka refuzuar të marrë pjesë në këto diskutime, duke theksuar se do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkaq, AAK-ja ka rikujtuar ofertën e saj prej gjashtë pikash, ku përfshihet edhe çështja e zgjedhjes së presidentit të ri, duke shprehur gatishmërinë për dialog politik.

Drenori: Shpresoj që rezultatet e para do të jepen sonte që të kemi një rrugë të re bashkëpunimi për zgjedhjen e presidentit Analisti Xhavit Drenori, në një përgjigje për “Bota sot”, ka vlerësuar se takimi i sotëm mund të sjellë hapa konkretë drejt tejkalimit të ngërçit politik, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ri.

Ai ka thënë se deklaratat e Lumir Abdixhikut pas votëbesimit në LDK tregojnë një gatishmëri për të kontribuar në zgjidhjen e situatës institucionale, ndërsa mbetet të shihet nëse bashkëpunimi do të shtrihet edhe në nivel qeverisës.

“Rreth takimit të sotëm shpresoj shumë që të sjellë rezultatet e para, nëse jo një zgjidhje finale, për tejkalimin e ngërçit politik, respektivisht për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së re.

Këtë e bazoj në faktin se zoti Abdixhiku, pasi e kaloi me sukses testin e votëbesimit brenda subjektit të tij politik, LDK-së, deklaroi qartë se “është i çmendur ai që kërkon zgjedhje të reja përsëri”. Kjo duket si një shenjë se ai është i pozicionuar për ta ndihmuar procesin e zgjidhjes së situatës institucionale.

Tani, mbetet të shihet nëse do të ketë një përfshirje më të gjerë, pra edhe pjesëmarrje të LDK-së në qeveri dhe në institucionet e tjera, apo nëse do të kufizohet vetëm te zgjedhja e presidentit. Megjithatë, shenjat se mund të ketë një dalje nga kjo situatë janë të dukshme”, tha ai.

Xhavit Drenori Drenori ka theksuar se pas përsëritjes së zgjedhjeve, partitë politike duhet të kontribuojnë në zgjidhjen e ngërçit institucional. Sipas tij, zgjedhja e presidentit mbetet çështja kryesore për tejkalimin e krizës dhe hapjen e rrugës për funksionalizimin e institucioneve.

“Pas përsëritjes së zgjedhjeve, pra tri herë brenda këtyre dy viteve — dhe me një rezultat është pothuajse të njëjtë, mendoj se subjektet politike, veçanërisht PDK dhe LDK, nuk i zë mirë, duhet të japin kontributin e tyre për zgjedhjen e presidentit ose presidentes.

Mundësisht, kjo figurë do të duhej të ishte sa më pak e përfshirë në politikë dhe të vinte nga shoqëria civile, në përputhje edhe me mesazhin që kanë dhënë qytetarët përmes votës.

Nëse subjekti fitues arrin të sigurojë 61 vota për formimin e institucioneve, ai duhet të lejohet të qeverisë, ndërsa partitë e tjera ta shfrytëzojnë kohën për opozitarizëm dhe njëkohësisht për reforma të brendshme në subjektet e tyre. Prandaj, LDK-ja po duket se është më e arsyeshme në këtë drejtim.

Shpresoj që rezultatet e para do të jepen sonte që të kemi një rrugë të re bashkëpunimi për zgjedhjen e presidentit, sepse pikërisht kjo është pika ku aktualisht ndodhet ngërçi politik ” – deklaroi ai për gazetën.

Makolli: Abdixhiku dhënë sinjale se është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e një marrëveshjeje për ta nxjerrë vendin nga vakumi institucional Kurse, analisti politik, Vesel Makolli, tha se zgjatja e bllokadës institucionale po dëmton pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe po krijon hapësirë që Serbia të përfitojë politikisht.

Ai për “Bota sot” thotë se LDK-ja duhet të marrë rol aktiv në tejkalimin e krizës, duke arritur një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për zhbllokimin e institucioneve dhe funksionimin normal të shtetit “Dihet se Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë. Saga e bllokimit të institucioneve po zgjat tashmë gati dy vjet.

Gjatë kësaj periudhe janë lënë pezull marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, të monitoruara nga faktorë relevantë ndërkombëtarë, të cilat lidhen drejtpërdrejt me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me fqinjin verior. Kjo situatë ka ndikuar negativisht në kredibilitetin dhe rejtingun ndërkombëtar të Kosovës.

Njëkohësisht, brishtësia institucionale dhe shmangia nga zbatimi i obligimeve ndërkombëtare nga ana e institucioneve të Kosovës po shfrytëzohen nga regjimi serb për të përmirësuar pozitën dhe imazhin e tij në arenën ndërkombëtare. LDK-ja, si partia me traditën më të gjatë demokratike në Kosovë, mban një përgjegjësi të veçantë për ruajtjen e kulturës demokratike dhe shtetformuese.

Në këtë frymë, ajo duhet të luajë një rol aktiv në tejkalimin e krizës institucionale, duke kontribuar në arritjen e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje, në funksion të zhbllokimit të institucioneve dhe garantimit të funksionimit normal të shtetit” – foli ai.

Vesel Makolli Makolli shton se Abdixhiku ka sinjalizuar gatishmëri për një marrëveshje që do ta zhbllokonte situatën politike, por thekson se sfidë për LDK-në mbetet mungesa e unitetit brenda Grupit Parlamentar.

“Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas rizgjedhjes dhe marrjes së besimit nga Kuvendi i partisë, ka dhënë sinjale se është i gatshëm të shqyrtojë mundësinë e një marrëveshjeje për ta nxjerrë vendin nga vakumi institucional. Po ashtu, edhe për Presidenten Vjosa Osmani, arritja e një zgjidhjeje me Lëvizjen Vetëvendosje do të ishte jetike për të ardhmen e saj politike.

Në këtë kontekst, sa i përket LDK-së, sfida kryesore mbetet mungesa e homogjenitetit brenda Grupit Parlamentar. Qëndrimet jo gjithmonë të njëjta të deputetëve të zgjedhur mund ta vështirësojnë arritjen e një konsensusi të brendshëm për një marrëveshje eventuale me VV-në, edhe nëse ekziston vullneti i udhëheqjes së partisë” , u shpreh më tej Makolli.

Në përfundim, analisti thotë se marrëveshja varet nga kompromisi i VV-së dhe uniteti i LDK-së, duke paralajmëruar se, në të kundërtën, vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. “VV-ja, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë, disponon me 63 deputetë.

Nëse Kryetari i LDK-së do ta kishte mbështetjen e plotë të të 18 deputetëve të Grupit Parlamentar të partisë së tij, atëherë një shumicë prej 83 deputetësh do të ishte e mundur. Një shumicë e tillë do t’i siguronte vendit stabilitet institucional dhe do ta shmangte nevojën për zgjedhje të reja, me gjithë koston politike, ekonomike dhe kohore që ato do të sillnin.

Summa summarum, arritja e një marrëveshjeje varet nga dy faktorë kyç: gatishmëria e Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje për kompromis dhe uniteti i Grupit Parlamentar të LDK-së në mbështetje të një zgjidhjeje që do t’i jepte fund krizës institucionale. Topi është në fushën e VV-ës.

Nese VV vazhdon të insistojë që t’i mbajë të tria institucionet kryesore të pushtetit – Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën – atëherë mundësia e arritjes së një marrëveshjeje do të zvogëlohej ndjeshëm.

Në një skenar të tillë, nuk mund të përjashtohet mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vjeshtën e vonë, duke e zgjatur edhe më tej krizën institucionale dhe pasiguritë politike në vend” – përfundoi ai për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot