Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, po shqyrton mundësinë e bojkotimit të Botërorit për Klube 2029, raporton gazeta prestigjioze franceze “L`Equipe”.
Siç raportohet, Ceferin, i cili prej kohësh konsiderohet rival i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, pritet të diskutojë këtë çështje me presidentin e Paris Saint-Germain dhe njëherësh kreun e Shoqatës Evropiane të Klubeve (ECA), Nasser al-Khelaifi.
Takimi mes dy zyrtarëve është planifikuar të zhvillohet më 12 gusht, në ditën kur PSG dhe Aston Villa do të përballen në Superkupën e Evropës. Në fokus të bisedimeve pritet të jetë një bojkot i mundshëm i edicionit të ardhshëm të Botërorit për Klube. Po sipas “L’Equipe”, Ceferin nuk ka ndërmend të kandidojë për postin e presidentit të FIFA-s, ndryshe nga sa ishte spekuluar më herët.
Në vend të kësaj, ai mbështet një kandidaturë të mundshme të Nasser al-Khelaifit, nëse ky i fundit vendos të hyjë në garën për drejtimin e institucionit më të lartë të futbollit botëror.
