Ilir Daja kërkon kujdes nga Dinamo në transfertë kundër Auda

0%

Në prag të përballjes Auda – Dinamo, ka folur për mediat trajneri i kryeqytetasve Ilir Daja. “Timonieri” i dinamovitëve ka “skanuar” rëndësinë e këtij dueli, e cila vlen për raundin e 3-të në Conference League. “Besoj na pret një përballje jo e lehtë, sepse në turin e tretë të Conference League nuk ka skuadra të lehta.

Edhe ne, edhe Auda vijmë nga një kualifikim me fitore në turin e dytë eliminator. Për kundërshtarin është viti i katërt që merr pjesë në kompeticionet europiane. Duke shtuar faktin që është në kampionat, e bën edhe më të vështirë këtë ndeshje, por që edhe ne pas katër ndeshjesh në Europë jemi futur në një ritëm. Shpresojmë të bëjmë më të mirën e mundshme duke e respektuar kundërshtarin.

E kemi ndjekur Audan në të dyja ndeshjet me Steauan e Bukureshtit që i ka fituar dhe kjo ia rrit më shumë meritat, sepse përballë ka pasur një ekip me eksperiencë në Europë. Vjen me një entuziazëm të shtuar. E kemi analizuar kundërshtarin dhe shanset janë që kualifikimi të vendoset pas 180 minutash. Për ne ka shumë rëndësi si do të prezantohemi në 90-minutëshin e parë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kemi pasur pak ditë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen, por këto ditë i kemi shfrytëzuar në maksimum. Duke pasur grupin të plotësuar dhe duke qenë se është ndeshja jonë e 5-të zyrtare për këtë vit, besoj që do ta kemi të vështirë, por jo të pamundur. Kemi parë që Auda ka lojtarë me moshë të re, por me kualitet.

Një nga ata është kapiteni i skuadrës, që në dijeninë time është edhe pjesë e kombëtares së Letonisë. Ka dhe 2-3 lojtarë që me cilësitë e tyre individuale mund të na vënë në vështirësi. Duhet të jemi të përqendruar gjithë kohën. Është viti i dytë radhazi që marrim pjesë në eliminatoret e Conference League.

Sigurisht që Dinamo është një ekip me shumë emër në futbollin tonë, por në këto dy edicionet e fundit kemi qenë prezent në Europë. Vjet kemi bërë një rrugëtim të mirë, kemi shkuar deri në play-off. Kemi ndryshuar një pjesë të mirë të ekipit, por sërish kemi pothuajse të njëjtat rezultate në Europë. Një pjesë e mirë e lojtarëve tanë marrin pjesë rregullisht në këto eliminatore.

Ecuria e deritanishme është e rëndësishme jo vetëm për buxhetin e klubit. Ne kemi lojtarë të rinj në skuadër dhe këto eliminatore janë një market i madh per të prezantuar veten dhe për t’i sjellë klubit më shumë fitime”, u shpreh në zonën e prononcimeve Ilir Daja.

Burimi: Bota Sot