Komuna e Ferizajt ka njoftuar se sot është hapur Panairi i Produkteve Bujqësore dhe Artizanale, organizim tashmë tradicional i Drejtorisë së Bujqësisë në bashkëpunim me GLV “Bifurkacioni”. Panairin e kanë hapur drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Burim Bajrami, drejtori i Shërbimeve Publike, Alberton Sahiti, dhe shefi i Kabinetit të Kryetarit, Albion Sherifi.
Në panair po marrin pjesë dhjetëra biznese, të cilat po prezantojnë produkte të ndryshme bujqësore dhe artizanale. Sipas Komunës së Ferizajt, kjo ngjarje u ofron qytetarëve mundësi të blejnë produkte vendore dhe bio, si dhe të njihen me punimet dhe krijimet artizanale që ruajnë traditën popullore.
Njëkohësisht, panairi paraqet mundësi për bizneset që merren me prodhime bujqësore dhe artizanale që të promovojnë produktet e tyre dhe t’i afrojnë ato më shumë me konsumatorët. Panairi do të jetë i hapur sot dhe nesër në sheshin e qytetit në Ferizaj.
