EC Ma Ndryshe ka njoftuar se ka vazhduar nismën “One Wish For My Street” me banorët e lagjes Arbanë në Prizren, me qëllim mbledhjen e kërkesave dhe shqetësimeve të komunitetit për hapësirat publike dhe cilësinë e jetesës.
Gjatë takimeve me banorët e rrugëve “Ismet Gashi”, “Afrim Bytyqi”, “Ismail Qemali” dhe zonave përreth, është përdorur edhe një hartë e lagjes, përmes së cilës qytetarët kanë identifikuar problemet dhe kanë dhënë propozimet e tyre. Ndër kërkesat kryesore të banorëve janë mungesa e ndriçimit publik, shportave për mbeturina, shtigjeve për biçikleta dhe këndeve të lojërave për fëmijë.
Ata kanë kërkuar gjithashtu më shumë hapësira rekreative, sipërfaqe të gjelbëruara, mbjellje të pemëve dhe vendosje të ulëseve publike. Banorët kanë ngritur shqetësime edhe për sigurinë në komunikacion, duke kërkuar sinjalistikë rrugore pranë Shkollës Fillore “Ibrahim Fehmiu” dhe masa për kufizimin e shpejtësisë së automjeteve në rrugicat e lagjes.
Po ashtu, është kërkuar sistemimi i kabllove elektrike, ndërsa zaptimi i trotuareve nga automjetet është evidentuar si problem për lëvizjen e grave me karroca për fëmijë dhe personave me aftësi të kufizuara. Një tjetër shqetësim i ngritur nga banorët është prania e qenve endacakë, për të cilën kanë kërkuar angazhim institucional.
EC Ma Ndryshe ka bërë të ditur se të gjitha kërkesat dhe propozimet e mbledhura do t’u përcillen institucioneve përkatëse, me synim ndërmarrjen e masave konkrete për përmirësimin e hapësirave publike dhe kushteve të jetesës në lagjen Arbanë.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Public Spaces 4 All”, të zbatuar nga EC Ma Ndryshe, me mbështetje të BMZ-së dhe SECO-s, përmes GIZ Kosova.
