Transferimi i jashtëzakonshëm i Fisnik Asllanit brenda Bundesligës po

0%

Sulmuesi kosovar Fisnik Asllani është shumë pranë transferimit te RB Leipzig, ndërsa marrëveshja mund të finalizohet brenda ditëve në vijim. Sipas gazetës gjermane Bild, 23-vjeçari nuk do t’i bashkohet Hoffenheimit në kampin stërvitor në Seefeld të Austrisë, pasi transferimi i tij është në fazën përfundimtare.

Mediumi gjerman raporton se mes dy klubeve gjithçka është pothuajse e dakorduar, ndërsa kanë mbetur për t’u zgjidhur vetëm disa detaje të kontratës mes Leipzigut dhe përfaqësuesve të lojtarit. Asllani kishte munguar edhe në ndeshjet e fundit miqësore të Hoffenheimit, çka kishte shtuar zërat për largimin e tij gjatë kësaj vere.

Interesim për reprezentuesin e Kosovës kishin shfaqur edhe klube të mëdha si Borussia Dortmund dhe Barcelona, por duket se RB Leipzig është shumë pranë fitimit të garës për nënshkrimin e tij. Në kontratën e Asllanit me Hoffenheimin ekziston një klauzolë lirimi prej 30 milionë eurosh, e cila ende nuk është aktivizuar zyrtarisht nga Leipzigu.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Bild, arsyeja e vonesës lidhet me situatën në repartin ofensiv të klubit. Leipzig aktualisht ka në dispozicion Romulon, Conrad Harder dhe talentin Samba Konaté, ndaj drejtuesit dëshirojnë fillimisht të sqarojnë të ardhmen e njërit prej tyre përpara se të finalizojnë afrimin e kosovarit.

Për Hoffenheimin, largimi i Asllanit do të ishte një humbje e rëndësishme, por klubi beson se e ka përgatitur skuadrën për një skenar të tillë, pasi gjatë kësaj vere ka afruar emra si Nathan De Cat dhe Patrick Wimmer, duke e konsideruar planifikimin e ekipit pothuajse të përfunduar edhe para mbylljes së afatit kalimtar.

Burimi: Telegrafi