Me një vlerë prej 240 milionë eurosh, kjo ndërtesë futuriste në Holandë synon të ndryshojë mënyrën se si jetojmë në qytete dhe si bashkëjetojmë me natyrën Nëse keni udhëtuar ndonjëherë në Evropën Veriore, me siguri ju ka bërë përshtypje estetika skandinave. Stili minimalist, dritaret e mëdha pa perde dhe hapësirat funksionale janë bërë simbol i rajonit.
Por tani, në Roterdam po ndërtohet një ndërtesë që premton të tërheqë vëmendjen e gjithë botës. Roterdami prej dekadash konsiderohet një nga qytetet më inovative të Evropës për arkitekturën moderne. Nga shtëpitë ikonike Cube Houses deri te depoja futuriste e Muzeut Boijmans Van Beuningen, qyteti vazhdon të shtyjë kufijtë e dizajnit bashkëkohor.
Së shpejti, në lagjen e re Waterkant , buzë lumit Maas, do të ngrihet një ndërtesë spektakolare me vlerë rreth 240 milionë euro , e cila pritet të bëhet simboli i ri i qytetit. Një ndërtesë e gjelbër me formë të pazakontë Projekti është realizuar nga studioja holandeze MVRDV, fituese e konkursit ndërkombëtar Rotterdam ROCKS!.
Ndërtesa do të jetë selia e parë e konceptit Shift Embassy, një iniciativë që synon ta bëjë qëndrueshmërinë më të prekshme dhe të kuptueshme për të gjithë. Zona e re urbane do të përfshijë rreth 3.750 banesa , shkolla, restorante, zyra, ambiente kulturore, kampus sportiv, stacion të ri hekurudhor dhe një park të madh të përshtatur ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritjes së nivelit të detit.
Vetë ndërtesa do të bashkojë hapësira ekspozimi, kërkimore, konferencash dhe gastronomike. Një park që ngrihet mbi lumë Në vend të një ndërtese tradicionale prej betoni, arkitektët kanë projektuar një peizazh artificial që ngrihet mbi bregun e lumit Maas. Pjesa e jashtme do të jetë e mbushur me tarraca, shëtitore, restorante, kafene dhe pika panoramike.
Sipërfaqja e saj do të krijojë habitat për bimë, insekte dhe specie të tjera, ndërsa do të mbledhë ujin e shiut, do të krijojë hije dhe do të ndihmojë në përmirësimin e mikroklimës. Qyteti dhe natyra si një e vetme Në qendër të projektit qëndron koncepti Biotopia, një vizion ku qytetet nuk janë më të ndara nga natyra, por bëhen pjesë e saj.
Arkitektët nuk janë mjaftuar vetëm me çati të gjelbra apo disa pemë dekorative. Ata synojnë të tregojnë se edhe vetë ndërtesat mund të jenë pjesë aktive e ekosistemit urban dhe të kontribuojnë në një të ardhme më të qëndrueshme. Me formën e saj të pazakontë, Rotterdam ROCKS! është një ndërtesë që vështirë se mund të injorohet.
Për disa do të jetë një kryevepër arkitekturore, për të tjerë ndoshta tepër e guximshme, por një gjë është e sigurt: askënd nuk do ta lërë indiferent.
