Një vatër e madhe zjarri vijon të jetë aktive që prej mesnatës së kaluar pranë Palasës, ku flakët kanë përfshirë një kodër dhe po përballen me vështirësi për t’u vënë nën kontroll. Era e fortë dhe temperaturat e larta kanë favorizuar përhapjen e zjarrit, duke e bërë të pamundur neutralizimin e plotë vetëm përmes ndërhyrjes nga toka.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse, efektivët e policisë dhe punonjësit e zonave të mbrojtura, të cilët gjatë gjithë natës kanë punuar për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të tjera.
Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, gjatë ditës së sotme në operacion është përfshirë edhe një helikopter, i cili po ndërhyn për shuarjen e flakëve. Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa operacioni për vënien nën kontroll të zjarrit mbetet ende në zhvillim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
