Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ka mbetur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas barazimit 2:2 në miqësoren ndaj Fiorentinës, duke vlerësuar angazhimin dhe profesionalizmin e futbollistëve gjatë fazës përgatitore.
Tekniku portugez theksoi se, pavarësisht se bëhej fjalë për një ndeshje miqësore, fanella e Real Madridit kërkon gjithmonë rezultate dhe paraqitje në nivel të lartë. “Ky është Real Madridi me lojtarët që kemi. Siç u thashë djemve para ndeshjes, Real Madridi është gjithmonë Real Madrid.
Qoftë një miqësore apo një ndeshje stërvitore, ne duhet të përmirësohemi vazhdimisht, por edhe të arrijmë rezultate për të nderuar historinë e këtij klub i”, deklaroi Mourinho për faqen zyrtare të klubit. Trajneri zbuloi se kishte bërë disa përshtatje në formacion për shkak të mungesave, duke eksperimentuar me role të ndryshme në fushë.
“Më është dashur të aktivizoj lojtarët që kisha në dispozicion. Kombinova Trent dhe Dumfries për të gjetur dinamikën e duhur për mënyrën tonë të lojës ”, u shpreh ai. Mourinho shtoi se skuadra kishte zhvilluar vetëm një seancë të dedikuar për këtë përballje, pasi objektivi kryesor mbetet përgatitja afatgjatë për sezonin e ri.
“Ne punuam vetëm dje në përgatitje të kësaj ndeshjeje, sepse synimi nuk është të përgatitemi vetëm për një takim. Bëmë pak punë organizative që ekipi të dijë çfarë duhet të bëjë në fushë. Jam shumë i lumtur me punën që lojtarët kanë bërë që nga dita e parë”, përfundoi portugezi.
Mourinho vlerësoi gjithashtu pjesën e parë të skuadrës së tij, duke theksuar se Real Madridi krijoi raste të mjaftueshme për ta mbyllur ndeshjen me një epërsi edhe më të thellë para pushimit.
