Trajneri i Interit, Cristian Chivu, u shfaq i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores ndaj Manchester Cityt në miqësoren e zhvilluar në Hong Kong, e cila u vendos me penallti pas barazimit 1:1 në kohën e rregullt. Tekniku rumun vlerësoi performancën e lojtarëve të tij, duke veçuar portierin Aleksandar Stankoviç për paraqitjen e mirë.
“Stankoviç ishte shumë i mirë, si për përkushtimin ashtu edhe për cilësinë që tregoi në fushë. Jam i kënaqur me atë që pashë nga ai”, deklaroi Chivu. Trajneri zikaltër pranoi se skuadra ka ende nevojë për përforcime, veçanërisht në krah. “Për momentin kemi vetëm tre mbrojtës krahu. Carlos Augusto mund të luajë në atë rol, por unë e preferoj si një nga tre mbrojtësit qendrorë.
Afati kalimtar është ende i gjatë, ndaj duhet të kemi durim dhe të zgjedhim lojtarin e duhur”, u shpreh ai. Chivu foli edhe për eksperimentet taktike të përdorura gjatë ndeshjes, duke theksuar se Interi do të vazhdojë të përshtatet në varësi të kundërshtarëve. “Ne përshtatemi sipas kundërshtarëve. Kemi parimet tona të lojës dhe mund të përmirësohemi shumë, sidomos në aspektin e guximit.
Në disa momente bëmë presion lart dhe funksionoi mirë, ndërsa në të tjera mbrojtëm më mirë zonën tonë. Në pjesën e dytë ramë disi fizikisht, por kjo ishte një provë e mirë për të gjithë. Rruga është e gjatë dhe kemi ende shumë punë për të bërë” , përfundoi trajneri i Interit.
