Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka kundërshtuar publikisht marrëveshjen për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza, duke kërkuar vazhdimin e operacioneve ushtarake izraelite.
Komiteti për Paqe kishte njoftuar më herët se ishte arritur një marrëveshje sipas së cilës Hamasi dhe grupet e tjera të armatosura do të çarmatoseshin, ndërsa administrimi i Gazës do t’i kalonte gradualisht një autoriteti të veçantë palestinez. Ben-Gvir tha se kjo marrëveshje nuk përfaqëson vetëm qëndrimin e tij personal, por edhe atë të një pjese të qeverisë izraelite.
“Pas masakrës së 7 tetorit, çdo anëtar i Hamasit është objektiv. Ndërprerja e eliminimit të terroristëve do të nënkuptonte lejimin e Hamasit që të rigrupohej dhe të përgatitej për një masakër të re”, deklaroi ai. Ai gjithashtu kërkoi vazhdimin e operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës.
“Vrasjet e synuara në Gaza duhet të vazhdojnë, duhet të inkurajohet shpërngulja e palestinezëve dhe Izraeli duhet të fitojë”, shkroi Ben-Gvir. Sipas marrëveshjes së njoftuar, Hamasi do të çarmatosej, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Izraeli do të tërhiqte trupat nga Gaza në këmbim të këtij hapi. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!