Dhjetë të vdekur nga orteku në Pakistan, në mesin e tyre edhe

0%

Alpinisti i njohur nepalez, Nirmal “Nimsdai” Purja, ka humbur jetën së bashku me nëntë persona të tjerë pasi ekspedita e tyre u godit nga një ortek në malin Broad Peak, në Pakistan. Vdekjen e 43-vjeçarit e konfirmoi të shtunën kompania e tij, “Elite Exped”, përmes një njoftimi në Instagram.

“Me trishtim të thellë konfirmojmë se Nirmal ‘Nimsdai’ Purja humbi tragjikisht jetën pas ortekut në Broad Peak”, thuhet në njoftim. Kompania bëri të ditur se as anëtarët e tjerë të ekspeditës nuk arritën të mbijetonin, por nuk dha hollësi të tjera për identitetin e tyre.

Purja dhe nëntë alpinistët e tjerë konsideroheshin të zhdukur që nga e enjtja, kur u goditën nga orteku në Broad Peak, malin 8 mijë e 51 metra të lartë në rajonin Gilgit-Baltistan. Ky është mali i 12-të më i lartë në botë dhe njihet për vështirësitë e mëdha teknike gjatë ngjitjes.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në mesin e viktimave ishin gjashtë shtetas nepalezë, ndërsa alpinistët e tjerë vinin nga Pakistani, Omani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kina. Ekipet e kërkim-shpëtimit kishin gjetur tre trupa të premten, ndërsa trupat e tjerë u lokalizuan dhe u identifikuan përmes pamjeve të realizuara me dron.

Megjithatë, nxjerrja e tyre po vështirësohet nga terreni i rrezikshëm dhe kushtet e rënda në mal. Autoritetet pakistaneze kanë bërë të ditur se operacioni vazhdon, por kanë theksuar se duhet të merret parasysh edhe siguria e personave që do të angazhohen në tërheqjen e trupave. Nirmal Purja ishte një nga alpinistët më të njohur në botë.

Në vitin 2019, ai vendosi rekord duke u ngjitur në 14 majat më të larta të botës brenda gjashtë muajve. Ai kishte shërbyer më parë në ushtrinë britanike, fillimisht në njësinë Gurkha dhe më pas në forcat speciale. Historia e arritjes së tij rekord u bë e njohur në mbarë botën përmes dokumentarit të Netflix, “14 Peaks: Nothing Is Impossible”, të publikuar në vitin 2021.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com