Ditën e sotme, FIFA ka ndryshuar qëndrim, duke e lënë në “teori” planin për shitjen e një pjese të të drejtave te investitorët privatë. Këmbëngulja e UEFA-s ka dhënë rezultat dhe tashmë Kupa e Botës do të mbetet e njëjtë dhe “e paprekur” nga “duart e jashtme”. Për këtë vendim ka reaguar edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili njëkohësisht mban edhe postin e Nënkryetarit të UEFA-s.
“E mirëpres vendimin e fundit të FIFA-s për t’u tërhequr nga plani për shitjen e një pjese të të drejtave të FIFA-s tek investitorët privatë, një plan që u bë i ditur gjatë ditëve të fundit.
Megjithatë, zhvillimet që shoqëruan këtë proces kanë ngritur në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje serioze mbi integritetin, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e futbollit, çështje që duhet patjetër të adresohen.
Vendimet që ndikojnë në qeverisjen e sportit tonë duhet të udhëhiqen gjithmonë nga standardet më të larta të transparencës, qeverisjes së mirë dhe përgjegjshmërisë institucionale. Këto parime janë themelore për mbrojtjen e integritetit të futbollit. Mbështes plotësisht qëndrimin e UEFA-s.
Së bashku me UEFA-n dhe kolegët e mi, presidentët e federatave kombëtare, do të punoj ngushtë për të siguruar që mësimet e nxjerra nga kjo situatë të përkthehen në hapa konkretë dhe të vendosen mekanizmat e nevojshëm për të parandaluar përsëritjen e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Përgjegjësia jonë e përbashkët është të mbrojmë futbollin, të ruajmë vlerat e tij dhe të sigurojmë që ai të vazhdojë të qeveriset me integritet, transparencë dhe gjithmonë në interesin më të mirë të lojës dhe të të gjithë atyre që janë pjesë e saj. Edhe një herë u dëshmua se uniteti është vlera jonë më e madhe.
UEFA tregoi sërish se, kur të gjithë aktorët e futbollit flasin me një zë të vetëm dhe qëndrojnë të bashkuar, gjithmonë mund të gjendet rruga e duhur.”, postimi i Dukës në rrjetet sociale.
