Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka përshëndetur vendimin e FIFA-s për të hequr dorë nga plani për përfshirjen e investitorëve privatë në të drejtat tregtare të organizatës, duke theksuar se zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah nevojën për më shumë transparencë dhe qeverisje të mirë në futboll.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Duka vlerësoi se vendimi për të tërhequr projektin është pozitiv, por nënvizoi se debati i krijuar rreth tij ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën se si duhet të drejtohet futbolli në nivel ndërkombëtar. “E mirëpres vendimin e fundit të FIFA-s për t’u tërhequr nga plani për shitjen e një pjese të të drejtave të FIFA-s te investitorë privatë.
Megjithatë, zhvillimet që shoqëruan këtë proces kanë ngritur në mënyrë të pashmangshme pikëpyetje serioze mbi integritetin, transparencën, llogaridhënien dhe qeverisjen e futbollit, çështje që duhet të adresohen” , ka shkruar Duka.
Kreu i FSHF-së theksoi se çdo vendim që prek qeverisjen e futbollit duhet të mbështetet mbi parimet e transparencës, përgjegjshmërisë institucionale dhe qeverisjes së mirë, duke i cilësuar ato si elemente kyçe për mbrojtjen e integritetit të lojës.
Duka shprehu gjithashtu mbështetjen e plotë për qëndrimin e UEFA-s, duke bërë të ditur se do të bashkëpunojë me federatat e tjera kombëtare për të garantuar që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. “Mbështes plotësisht qëndrimin e UEFA-s.
Së bashku me kolegët e mi, presidentët e federatave kombëtare, do të punojmë për t’i shndërruar mësimet e nxjerra nga kjo situatë në hapa konkretë dhe për të vendosur mekanizma që do të parandalojnë raste të ngjashme në të ardhmen ”, u shpreh ai. Në fund të reagimit, presidenti i FSHF-së theksoi rëndësinë e unitetit në futboll, duke vlerësuar rolin e UEFA-s në këtë proces.
“Edhe një herë u dëshmua se uniteti është vlera jonë më e madhe. UEFA tregoi se, kur të gjithë aktorët e futbollit flasin me një zë dhe qëndrojnë të bashkuar, gjithmonë mund të gjendet rruga e duhur ”, përfundoi Duka.
