Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë, ku do të shqyrtohet mocioni për shkarkimin e kryetarit, Lumir Abdixhiku, tha se vendimi është në duart e të gjithë delegatëve.
Ai theksoi se nuk pret tensione mes anëtarëve të LDK-së, derisa shtoi se procese të tilla demokratike nuk ndodhin shpesh, madje as në partitë e rajonit. Zemaj: Vendimi është në dorën e të gjithë delegatëve “Është në dorën e të gjithë delegatëve që të vendosin për fatin politik dhe të ardhmen e LDK-së. Nuk do të ketë tensione.
Delegatët janë përballur me disa presione mediatike, por kjo është demokracia. Këto ngjarje nuk mund t’i shihni në parti të tjera, madje as në rajon”, tha ai. Sa i përket mundësisë që ai të kandidojë për kryetar të LDK-së, Zemaj nuk e përjashtoi përgjegjësinë, por tha se kjo nuk është çështja e ditës.
Zemaj: Nëse kërkohet, unë nuk i iki përgjegjësisë “Nëse kërkohet, unë nuk i iki përgjegjësisë, por sot është një temë tjetër. Nuk ka të bëjë me kandidaturën për kryetar të LDK-së” , u shpreh ai. Duke komentuar votimin për mocionin në Kuvend, Zemaj theksoi se, megjithëse ka qenë nënshkrues i kërkesës për mbajtjen e Kuvendit, vota duhet të mbetet e fshehtë.
Zemaj: Duhet ruajtur integriteti i votës së fshehtë “Tashmë jemi në Kuvend. Unë kam qenë nënshkrues dhe nënshkrimi e ka një kërkesë, por vota është e fshehtë dhe duhet ruajtur integriteti i votës” , deklaroi ai. Në fund, i pyetur nëse është optimist për rezultatin e procesit, Zemaj u përgjigj shkurt: “Besoj që po.”
