Shpërndaje në: Klubi i basketbollit Peja ka njoftuar të enjten se e ka themeluar ekipin B. Peja B do të garojë në Ligën e Parë të Kosovës në basketboll, ka njoftuar klubi i verdhë. Sipas Pejës, formimi i ekipit të dytë ka mision të rëndësishëm – zhvillimin e lojtarëve vendorë.
“Prej vitesh kemi qenë dëshmitarë se shumë talentë pejanë, pas moshës 18-vjeçare e kanë pasur të vështirë depërtimin në ekipin e parë për shkak të mungesës së minutave dhe hapësirës për të luajtur. Nga sot, ata do të kenë një ekip ku mund të zhvillohen, të fitojnë përvojë dhe të përgatiten për hapin e madh drejt fanellës së ekipit të parë të KB Pejës”, shkruan në njoftim.
Peja B do të garojë vetëm në kategorinë e dytë të basketbollit kosovar. “Pavarësisht rezultateve sportive, KB Peja B do të mbetet gjithmonë pjesë e Ligës së Parë, sepse qëllimi i këtij projekti nuk është promovimi në Superligë, por krijimi i një ure të fortë mes basketbollit të të rinjve dhe ekipit të parë”.
