Nga: The Guardian Përktheu:
Edona Binaku Shpërndaje në: Fotografi ikonike nga Alfred Stieglitz, Saul Leiter, Dorothea Lange dhe emra të tjerë të mëdhenj, sjellin në vëmendje peizazhin urban amerikan – nga skenat e krimit në mesnatë deri te korridoret e errëta të ndërtesave – në ekspozitën “Portrait of a City: A Century of American Photography”, e hapur në Londër Kjo është vetëm ekspozita e dytë fotografike në historinë e galerisë “Dulwich Picture” në Londër, por arrin të jetë njëkohësisht e qetë, reflektuese dhe jashtëzakonisht tërheqëse.
Ajo ndjek zhvillimin paralel të dy proceseve: ndërtimin e qytetit modern dhe evolucionin e gjuhës së fotografisë. Ekspozita me titull “Portrait of a City: A Century of American Photography”, përqendrohet tërësisht te veprat e fotografëve më përfaqësues të shekullit XX, të realizuara në qytete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.
Ajo ofron një përmbledhje të zgjedhur me kujdes, që nis me pionierët e fotografisë piktorialiste në New York, Alfred Stieglitz dhe Edward Steichen, për të vijuar me kryevepra të dokumentimit social si “Migrant Mother” dhe “White Angel Breadline” të Dorothea Lange, si edhe portretin emblematik të Lewis Hine për punëtorin Victor “Frenchy” Gosselin, gjatë ndërtimit të ndërtesës ikonike, “Empire State”.
Në ekspozitë janë të pranishëm pothuajse të gjithë emrat e mëdhenj të fotografisë amerikane: Ilse Bing, Mary Ellen Mark, Diane Arbus, Saul Leiter, Richard Avedon dhe shumë të tjerë. Megjithatë, kjo ekspozitë ka një veçori: të gjitha veprat vijnë ekskluzivisht nga koleksioni i fondacionit “DNB Savings Bank”, gjë që ka kufizuar edhe zgjedhjet kuratoriale.
Një seri filmash të shkurtër sjellin këndvështrime të reja mbi fotografitë. Një material filmik prej vetëm 44 sekondash, i realizuar në vitin 1931 në kuzhinën popullore “White Angel” në San Francisko – aty ku Dorothea Lange krijoi një nga fotografitë më të njohura të periudhës së Depresionit të Madh – paraqet një atmosferë krejt ndryshe nga vetmia e zymtë që përcjell fotografia.
Nën tingujt ritmikë të muzikës swing, shfaqet një komunitet i gjallë, i udhëhequr nga një grua e buzëqeshur që shpërndan ushqime dhe riparon rroba për njerëzit në nevojë.
Edhe Kulturë “Në sytë e tjetrit” kthen objektivin te portreti Shumë prej fotografëve të pjesës së parë të ekspozitës ishin fillimisht të trajnuar si piktorë, dhe kjo dallohet qartë në kujdesin e jashtëzakonshëm për kompozicionin dhe dritën. Projekti “Harlem Document” i fotografit me nam, Aaron Siskind, pasqyron ndikimin e miqësisë së tij me Mark Rothko dhe Franz Kline.
Në posterët e grisur dhe muret e zhveshura të Harlemit ai kërkon një formë abstrakte shprehjeje, duke krijuar njëkohësisht një gjuhë të re fotografike për protestën shoqërore.
Nga vitet e Depresionit të Madh deri në periudhën e New Deal – reforma ekonomike, sociale dhe politike – optimizmi që shoqëroi ndërtimin dhe rigjenerimin urban fillon gradualisht të zëvendësohet nga një ndjesi më e errët. Figura të vetmuara përballë madhështisë së qytetit përsëriten vazhdimisht.
Një shembull domethënës është fotografia me titull “Looking at the RCA Building at Rockefeller Center” e Louis Faurer, realizuar në vitin 1949, ku një burrë anonim me kapelë fedora shikon një ndërtesë aq të madhe, sa mbush të gjithë kuadrin. Natën, tensionet e qytetit dalin në sipërfaqe. Pikërisht atëherë shfaqen personazhet më të pazakontë.
Ndër momentet më mbresëlënëse janë fotografitë e Weegeet, që dokumentojnë New Yorkun pas errësirës: skena vrasjesh, aksidente tragjike dhe episode të çuditshme që vetëm një metropol mund t’i prodhojë. Në një fotografi, fytyra e një njeriu me sytë e mbyllur del pas një kolone në një kalim urban, ndërsa një orë e madhe në sfond e tërheq shikimin drejt errësirës së thellë.
Të gjithë mjeshtrit e mëdhenj janë këtu… “Familja Damm në makinë”, 1987. Foto: Mary Ellen Mark Një nga veprat më të fuqishme është “Hallway” e Roy DeCaravas. Fotografia paraqet një korridor bosh në një ndërtesë banimi në Harlem, të ngjashme me atë ku artisti kaloi fëmijërinë.
I ndriçuar nga një llambë e vetme, korridori pothuajse përpihet nga hijet, ndërsa vijat e mureve e drejtojnë shikimin gjithnjë e më thellë në hapësirë. Me këtë imazh klaustrofobik, DeCarava të bën të ndiesh sikur je vetë aty. Ai zbulon pasurinë dhe fuqinë shprehëse të ngjyrës së zezë, duke e trajtuar atë si një ngjyrë po aq komplekse dhe e pasur sa çdo tjetër.
Në tërësi, ekspozita rrëfen historinë amerikane të qytetit përmes syrit të fotografëve, shumica e të cilëve ishin emigrantë evropianë të brezit të parë ose të dytë. Ajo tregon gjithashtu se fotografia u bë një mënyrë për artistët që të përballonin ritmin marramendës të jetës urbane, ta kuptonin, ta përvetësonin ose, siç synonte Garry Winogrand, të zhdukeshin brenda saj.
Vetë fotografi e përshkruante procesin e tij si një përpjekje për t’iu afruar gjendjes së “mosqenies”, një citat që shfaqet edhe në muret e ekspozitës. Momente që vetëm një qytet mund t’i dhurojë… “Zhytësit”, 1948. Foto: Fotografi: Arthur Leipzig “Portrait of a City” (Portret i një qyteti) është një homazh për çastet e vogla, të heshtura, por magjepsëse që ndodhin çdo ditë.
Një prej tyre është fotografia e Peter Hujarit, ku shihet një burrë i ndalur për një çast nën shi në një rrugë të New Yorkut gjatë natës, ndërsa pikat e shiut shkëlqejnë mbi xhamin e një makine.
Edhe Kulturë 3 o. më parë “Masa urgjente” pa plan për hapjen e plotë të Kalasë së Prizrenit Ekspozita vijon me vitet ‘60 dhe ‘70, kur moda bëhet më e guximshme dhe debatet politike më të forta, për të përfunduar në metronë e New Yorkut të viteve ‘80.
Fotografitë e Bruce Davidsonit, të realizuara me aparatin “Leica” në trenat e mbuluar me grafite, e rikthejnë vizitorin në lëvizjen e pandërprerë të qytetit. Brenda vagonëve kryqëzohen kultura, mosha, raca dhe shtresa të ndryshme shoqërore. Disa njerëz udhëtojnë drejt festave, të tjerë drejt punës; disa flenë, dashurohen ose grinden.
Drita e kuqërremtë e perëndimit mbështjell vagonët me një shkëlqim të ngrohtë e sensual. Treni vazhdon rrugën e tij. Ashtu si edhe qyteti – i pandalshëm, i pamëshirshëm dhe gjithmonë në lëvizje. “Portrait of a City: A Century of American Photography” do të qëndrojë e hapur në galerinë “Dulwich Picture” të Londrës, deri më 4 tetor.
