Shpërndaje në: “Demokraci në veprim” e ka quajtur Kuvendin e jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Avdullah Hoti. Ai ka thënë se thirrja e Kuvendit tregon se partia ka mekanizmat “statutorë dhe demokratikë për të reflektuar, për t’u konsoliduar dhe për t’u bërë më e fortë”.
Hoti ka theksuar se nga ky kuvend LDK-ja do të dalë e bashkuar, duke shtuar se vullnetit të Kuvendit sot do t’i nënshtrohen të gjithë. “Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin. Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt.
Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së. Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook. Sipas Hotit, Kuvendi që do të mbahet sot pasdite do ta kthejë LDK-në si forcën kryesore politike.
“Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë”.
