Shpërndaje në: Kryetari i sapokonfirmuar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar se partia e tij është e hapur për rikthim të menjëhershëm për negociata me Vetëvendosjen për formim të institucioneve. Ky proces ishte pezulluar për shkak të Kuvendit të ftuar të LDK-së, me inicimin e shkarkimit të Abdixhikut. Por në Kuvend, Abdixhiku mbijetoi votëbesimin.
Në konferencën pas Kuvendit, Abdixhiku ka thënë se nga ky moment e heq pezullimin dhe LDK-ja hapet për diskutim për çështjen e institucioneve. Abdixhiku ka pranuar po ashtu se në takimin e parë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka pasur diskutime edhe për “balancë të pushteteve”. Sipas tij, kjo nënkupton që një parti e vetme s’mund të udhëheqë me të gjitha institucionet.
Ai megjithatë mohoi se ka pasur dakordime të tjera.
