Kufizimi i sheqerit para moshës dy vjeç lidhet me shëndet më të mirë

0%

Kufizimi i konsumit të sheqerit gjatë dy vjetëve të para të jetës mund të ketë përfitime afatgjata për shëndetin e trurit, sugjeron një studim i ri, ka shkruar BBC.

Shkencëtarët analizuan të dhënat e rreth 65 mijë pjesëmarrësve në projektin UK Biobank, duke krahasuar personat që kaluan vitet e para të jetës gjatë periudhës së racionimit të sheqerit në Britani me ata që lindën pas përfundimit të saj në vitin 1953. Pas heqjes së racionimit, konsumi mesatar i sheqerit pothuajse u dyfishua.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Britani kishte mungesë të ushqimeve. Për këtë arsye, qeveria vendosi racionimin, që do të thotë se çdo person kishte të drejtë të blinte vetëm një sasi të kufizuar të produkteve si sheqeri, gjalpi, mishi dhe vezët. Kjo krijoi një “eksperiment natyror”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Studiuesit mund të krahasonin fëmijët që i kaluan dy vjetët e para të jetës gjatë racionimit, kur konsumonin më pak sheqer me fëmijët që lindën pas përfundimit të racionimit, kur sheqeri u bë shumë më i disponueshëm.

Sipas rezultateve, personat që konsumuan më pak sheqer deri në moshën dyvjeçare kishin 23 për qind më pak rrezik për t’u prekur nga demenca, ndërsa diagnoza e sëmundjes u vonua mesatarisht me dy vjet e gjysmë.

“Gjetjet tona sugjerojnë se kufizimi i sheqerit në fazat më të hershme të jetës mund të sjellë përfitime afatgjata për shëndetin e trurit”, ka thënë studiuesi Jiazhen Zheng, duke theksuar se nevojiten kërkime të tjera për të konfirmuar nëse sheqeri është shkaku i drejtpërdrejtë i këtij efekti. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se studimi nuk provon një lidhje shkak-pasojë.

“Studimi mund të jetë në drejtimin e duhur, por nuk përbën një provë përfundimtare që lidh konsumimin e sheqerit në fëmijërinë e hershme me demencën”, ka thënë Rachel Richardson nga rrjeti i pavarur Cochrane. Edhe profesori Ian Maidment nga Aston University u shpreh skeptik. “Është një ide interesante që ndihmon debatin, por nevojiten më shumë prova.

Ka shumë faktorë të tjerë që mund të kenë ndikuar gjatë këtyre 80 vjetëve”, ka thënë ai. Ndërsa doktoresha Sara Rodrigues nga Alzheimer’s Research UK ka kujtuar se ky është studim vëzhgues. “Studimi mund të tregojë lidhje mes dietës dhe rrezikut për demencë, por nuk mund të provojë se konsumimi më i ulët i sheqerit e parandalon drejtpërdrejt sëmundjen.

Një dietë e shëndetshme dhe e balancuar mbetet një nga mënyrat më të mira për të mbështetur shëndetin e trurit dhe nuk është kurrë vonë për të bërë ndryshime pozitive”, ka thënë ajo.. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com