Shpërndaje në: Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, sekretari i përgjithshëm i LDK-së ka thënë se ky kuvend do ta ketë vetëm një pikë të rendit të ditës. Ai ka vlerësuar se LDK-ja po tregohet si shtëpi e debatit demokratik dhe politik, teksa ka thënë se të drejtën demokratike e dëshmon votimi i fshehtë.
“Pritet të ndodhë ushtrimi më i mirë i një të drejte demokratike, vota e fshehtë në raport me mocionin që e kanë ngritur për shkarkim pjesa e delegatëve iniciues, të cilët e kanë plotësuar kushtin statutar për të thirrur një Kuvend të tillë, i cili është në afat rekord prej kryesisë së partisë, duke respektuar normat statutore, pa e konsumuar në tërësi afatin prej 60 ditësh, po në ditën e 15-të Kuvendi veç po mbahet.
Të gjitha organizimet teknike veçse janë përfunduar. Tash presim prej orës 6 me ardhë delegatët dhe me i zhvillu punimet e Kuvendit. Kuvendi mbahet me një pikë të rendit të ditës, qysh e kanë ndërtuar kërkesën edhe edhe iniciuesit edhe nënshkruesit e kërkesës”, tha ai. Ferati pret që Kuvendi të rrjedhë në mënyrë demokratike.
I pyetur se a do të jenë më shumë vota pro apo kundër, Ferati e shmangi pyetjen, duke thënë se qëndrimet e tij janë të qarta. Lidhja Demokratike e Kosovës mban sot Kuvendin e jashtëzakonshëm. 355 delegatë do të vendosin me votë nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë ta udhëheqë partinë apo do të shkarkohet.
