Një aheng në restorantin “Iliria De Luxe” në fshatin Shtedim të Podujevës ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë, pasi u raportuan të shtëna me armë në mesnatë. Sinjali mëson se i dyshuari është Valmir Ademi rreth 24-vjeç. Sipas burimeve, rasti është raportuar rreth orës , kur Policia mori informacion për të shtëna me armë në restorantin ku po zhvillohej ahengu.
Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë dëgjuar edhe vetë të shtëna gjatë patrullimit në zonë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është kryer kontroll në lokacionin e dyshuar, ku është gjetur dhe sekuestruar një armë me gaz, e cila dyshohet se ishte përdorur gjatë incidentit.
I dyshuari Valmir Ademi është shoqëruar në Stacionin Policor, ku në prani të avokatit mbrojtës ka pranuar në tërësi veprën që i vihet në barrë. Me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti për veprat penale “ Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve ” dhe “ Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm ”, ndërsa Valmir Ademi është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetime. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
