Ushtria amerikane ka njoftuar të enjten () se ka përfunduar një “valë të ashpra” sulmesh kundër Iranit si hakmarrje për sulmet me raketa balistike të së martës ndaj forcave amerikane, raporton televizioni BBC .
Komanda qendrore e Ushtrisë amerikane (Centcom) ka njoftuar se ka goditur “dhjetëra” objektiva të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në përgjigje të bombardimeve iraniane ndaj bazave amerikane në Jordani dhe ndaj anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Media shtetërore iraniane ka raportuar se sulmet e fundit kanë vrarë tre persona, përfshirë një fëmijë dyvjeçar, në ishullin Qeshm, ndërsa vende të tjera u goditën gjithashtu në jug dhe perëndim të vendit.
Armiqësitë e fundit vijnë në javën që ka shënuar zgjerimin e konfliktit, me sulmet e para të përbashkëta të shpallura publikisht nga SHBA-ja dhe Arabia Saudite që synojnë përfaqësuesit iranianë në Irak.
Kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ushtarake ndaj Iranit në shkurt, presidenti Donald Trump kishte deklaruar se lufta do të zgjaste vetëm disa javë, por ka vazhduar për pesë muaj pa asnjë shenjë fundi në horizont.
Të mërkurën, agjencia e lajmeve Axios ka cituar një zyrtar amerikan të paidentifikuar të ketë theksuar se Trump është takuar me ministrin saudit të Mbrojtjes, Princin Khalid bin Salman, i cili ia kishte përcjellë se Arabia Saudite dëshiron t’i ulë tensionet. BBC-ja ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për koment, por nuk ka marrë përgjigje.
Konflikti SHBA-Iran është rigjallëruar pas disa ditësh qetësie relative. Për ditë të tëra, të dyja palët ndalën sulmet ndërsa bisedimet me sa duket rifilluan me shpresën e një lloj zgjidhjeje diplomatike. Trump i quajti “negociata shumë miqësore”, megjithëse Teherani mohoi se po zhvilloheshin diskutime.
Por pas sulmit me raketa iraniane në një bazë amerikane në Jordani të martën, Trump u zotua të hakmerrej, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë: “Ne do t’i godasim shumë fort sepse është radha jonë t’i godasim. Ata e dinë se se rrugës jemi. Ata na kërkuan të mos e bëjmë”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
