Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e së mërkurës në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, ku një person dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të punëtorëve të KRU “Mitrovica”, pasi ata kishin shkuar t’ia ndërprisnin furnizimin me ujë. Sinjali mëson ekskluzivisht se personi që kërkohet nga Policia është Fitim Shabani rreth 41 vjeç.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur rreth orës , në rrugën “ Islam Shabani ”, kur ekipi i KRU-së po kryente ndërprerjen e kyçjes në rrjetin e ujësjellësit. Tre punëtorët – S.H rreth 50-vjeç, F. B. rreth 35-vjeç dhe F. Sh. rreth 61-vjeç – kanë deklaruar se i dyshuari fillimisht u kishte drejtuar një armë të shkurtër dhe kishte kërkuar që t’ia rikthenin furnizimin me ujë.
Pasi ata kishin refuzuar, ai dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të automjetit, derisa punëtorët ndodheshin brenda tij.
Sipas dëshmive, pas të shtënës, i dyshuari kishte marrë gëzhojën, ishte futur në oborrin e shtëpisë dhe më pas kishte dalë sërish, duke i kërcënuar punëtorët me fjalët: “Nëse më lajmëroni në Polici, ka me ju vra të treve.” Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, përfshirë edhe Njësinë për Reagim të Shpejtë, të cilat kanë krijuar një perimetër sigurie dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit.
Gjatë kontrollit nuk është gjetur arma që dyshohet se është përdorur. Me urdhër të Prokurorit është iniciuar rasti për veprat penale “ Kanosje ”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm ” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armës ”, ndërsa Fitim Shabani ndodhet në arrati dhe është në kërkim nga Policia e Kosovës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
