Deklarata e ministrit serb të Jashtëm, Marko Gjuriç, për “Radio Beograd”, se është arritur marrëveshje në parim për hapjen e zyrave konsullore në Shkodër dhe Bujanoc, u shndërrua shpejt në lajm të madh në Beograd.
Në Tiranë, reagimi erdhi i qartë dhe i matur nga ministri Ferit Hoxha, vetëm pasi lajmi doli nga Beogradi dhe jo nga Tirana zyrtare, e cila u tha se ishte përfshirë në këto bisedime. Shqipëria deklaroi se ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në Luginën e Preshevës, ndërsa Serbia, nga ana e saj, thotë se ka kërkuar të njëjtën gjë, por në Shkodër.
Faktikisht, mësohet se asgjë nuk është finalizuar. Veprimet, thuhet se do të ndërmerren vetëm pasi të ketë dakordësi të plotë për çdo aspekt të procesit. Kjo është gjuha e qartë e diplomacisë, jo e entuziazmit të njëanshëm.
Shefi i diplomacisë shqiptare, Ferit Hoxha, theksoi diçka thelbësore: reciprociteti është parim themelor, por nuk do të thotë automatikisht barazi mekanike e interesave. Megjithatë, interesi i Shqipërisë është konkret dhe i vonuar, me praninë e përhershme konsullore në një zonë ku jeton një komunitet i madh dhe i rëndësishëm shqiptar.
Ajo prani (sipas shqiptarëve në Preshevë) është parë nga pala shqiptare si një mundësi që do t’u ofrojë qytetarëve shqiptarë atje (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) mbështetje më të drejtpërdrejtë, lidhje më të forta me shtetin amë dhe mbrojtje më efektive të të drejtave të tyre legjitime. Mirëpo, debati publik, siç vëren me të drejtë Hoxha, shpesh anashkalon pikërisht këtë thelb.
Në vend që vëmendja të përqendrohet te përfitimi konkret për shqiptarët e Luginës, ajo zhvendoset te hamendësimet mbi “interesat e serbëve në Shkodër”. Kjo është një formë e njohur e diversionit diplomatik: të flasësh për “simetri” për të mbuluar mungesën e vullnetit real për të pranuar realitetin demografik dhe historik të Preshevës. Ka një dimension tjetër që nuk duhet anashkaluar.
Me këtë deklarim, Beogradi synon të zhvlerësojë interesimin dhe ndikimin e Prishtinës në Luginën e Preshevës, sidomos në kontekstin e politikës së kryeministrit Albin Kurti. Duke e lidhur hapjen e një përfaqësie shqiptare me “kushtin” e një zyre serbe në Shkodër, Serbia po përpiqet të krijojë përshtypjen se çdo hap i Tiranës duhet të kalojë nëpër filtrin e “reciprocitetit” të saj.
Madje, duke e dobësuar kështu rolin e Prishtinës si aktor natyror në mbrojtjen e shqiptarëve të Luginës – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ndërkohë, historia e Shkodrës duket se e bën këtë kërkesë edhe më të ngarkuar. Pas pushtimit të qytetit (Shkodrës) nga forcat serbo-malazeze gjatë Luftërave Ballkanike, Mbretëria Serbo-Malazeze atëherë mbajti prani diplomatike dhe konsullore atje.
Kjo prani vazhdoi në forma të ndryshme deri në periudhën e Ahmet Zogut, i cili e mbylli dhe e largoi atë nga Shkodra. Kërkesa e sotme e Beogradit për konsullatë në Shkodër nuk është thjesht teknike; ajo rimerr një simbolikë të vjetër që shqiptarët e asaj zone (Shkodrës) e mbajnë mend mirë.
Megjithëse nuk ka të dhëna publike për ndonjë marrëveshje të mëparshme specifike Rama–Vuçiç që të ketë parashikuar saktësisht këtë lloj “trami” diplomatik për konsullata të tilla në Shkodër dhe Bujanoc, ka shumë konspiracione që po diskutohen dhe komentohen në rrjetet sociale, si në Kosovë, Shqipëri, Luginën e Preshevës dhe diasporë.
Pasi Rama dhe Vuçiç kanë pasur bashkëpunime “allishverishe” të tjera dypalëshe, të hapura dhe të fshehta, me dhjetëra të zbuluara nga media. Prej nga njohja e diplomave, që ishte shumë e mirë, deri te nisma të ndryshme rajonale, si ajo më e keqja – Open Balkan. Mirëpo, asnjë prej tyre nuk ka përbërë shkëmbim të këtij lloji si ky që po “serviret” nga shefi i diplomacisë serbe, Marko Gjuriç.
Prandaj, “pretenca” e Gjuriçit se “ka marrëveshje në parim”, tani që “plasi”, duket më shumë si manovër komunikimi mes Tiranës dhe Beogradit, sesa si fakt i mbyllur. Dallimi midis dy deklaratave është i qartë. Hoxha thotë se nuk ka dakordësi të plotë dhe se synimi i Shqipërisë është Lugina e Preshevës. Gjuriç flet për Bujanoc.
Në Bujanoc administrata civile mbetet dominuese serbe, ndërsa në Preshevë popullsia dhe struktura lokale janë shumicë shqiptare. Zgjedhja e Bujanocit nga ana serbe nuk është e rastësishme. Ajo synon të mbajë kontrollin simbolik dhe administrativ mbi hapjen e përfaqësisë shqiptare, duke e zhvendosur nga qendra ku shqiptarët janë shumicë absolute.
Shqipëria, nëse i referohemi deklaratës, duket se nuk e ndërton politikën e saj të jashtme mbi emocione apo perceptime. Ajo e bazon mbi interesin kombëtar, të drejtën ndërkombëtare dhe standardet evropiane. Derisa të ketë dakordësi të plotë, deklaratat e njëanshme mbeten thjesht deklarata.
Kurse Tirana duhet të jetë e qartë edhe me shqiptarët, t’u tregojë atyre jo vetëm kur t’u “plasi” nga Beogradi, se cilat janë prioritetet e saj në Luginën e Preshevës dhe kudo ku janë shqiptarët.
Së fundi, mbetet të shihet nëse Serbia e kupton se reciprociteti i vërtetë fillon nga pranimi i realitetit dhe jo nga marketingu i “simetrisë”, nga ngarkesa e tyre ultranacionaliste dhe “verbëria” e tyre për Kosovën.
