Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Një gjykatë në Londër ka urdhëruar Mitch Winehouse, babain e këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, t’u paguajë 950 mijë funte britanike (mbi 1.1 milionë euro) dy shoqeve të saj, pasi humbi padinë që ngriti kundër tyre për shitjen në ankand të sendeve personale të artistes, ka shkruar The Guardian.
Amy Winehouse ka vdekur në muajin korrik të vitit 2011, në moshën 27-vjeçare, si pasojë e helmimit nga alkooli. Vite më vonë, ish-stilistja e saj Naomi Parry dhe shoqja Catriona Gourlay nxorën në ankand 155 sende personale të këngëtares, përfshirë veshje, çanta, këpucë baleti, bizhuteri, produkte kozmetike dhe një fustan që ajo kishte veshur gjatë turneut të fundit në vitin 2011.
Babai i këngëtares pretendoi se ato nuk kishin të drejtë t’i shisnin sendet, por gjykata vendosi se ai ishte në dijeni të ankandit dhe nuk kishte prova që ato kishin vepruar në mënyrë të pandershme apo kishin fshehur sendet. Gjykatësja Sarah Clarke ka kritikuar ashpër veprimet e Mitch Winehouse.
“Paditësi zgjodhi të ngrinte një padi shumë të dobët, e ndoqi atë në mënyrë agresive deri në fund dhe bëri akuza të rënda e të pabaza që dëmtuan ndjeshëm reputacionin, karrierën, sigurinë financiare dhe shëndetin e të paditurave. Fakti që ai e bëri këtë me vetëdije ndaj dy grave të reja që i qëndruan besnike Amyt e bën sjelljen e tij edhe më të rëndë”, ka thënë ajo.
Në vendimin e mëparshëm, gjykata kishte theksuar gjithashtu se Amy Winehouse “njihej për bujarinë e saj të jashtëzakonshme ndaj shoqërisë, por edhe ndaj njerëzve që mezi i njihte”, duke mbështetur pretendimin se shumë nga sendet u ishin dhuruar ose lënë në përdorim shoqeve të saj.
