Lamine Yamal vazhdon të shkruajë histori jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në botën e koleksionistëve. Karta e tij unike e rishtarit “Kaboom”, pjesë e koleksionit Panini Donruss FIFA 2023-24, është shitur në ankand për 707.600 dollarë, duke vendosur një rekord të ri për një kartë tregtare të futbollistit spanjoll.
Suksesi erdhi menjëherë pas triumfit të Yamalit me Spanjën në Kupën e Botës 2026. Karta e zezë “one of one”, që do të thotë se ekziston vetëm një kopje e saj, ishte artikulli më i kërkuar në ankandin “Goldin’s Global Football Auction”, duke arritur çmimin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për një kartë të Yamalit.
Me këtë shitje, talenti i Barcelonës la pas edhe dy legjenda të futbollit. Një kartë e Pele-s nga viti 1958 u shit për 610.000 dollarë, ndërsa një kartë unike e Lionel Messit nga koleksioni Topps Chrome Sapphire 2023-24 arriti vlerën e 317.200 dollarëve. Karta e Yamalit e tejkaloi atë të Pele-s me afro 100.000 dollarë dhe atë të Messit me mbi 390.000 dollarë.
Interesi i madh për Yamalin u reflektua edhe në shitjen e memorabilive të tjera. Një kartë e artë “Kaboom” e limituar në 10 kopje u shit për 189.100 dollarë, ndërsa një fanellë e Barcelonës e veshur dhe e nënshkruar nga lojtari gjatë sezonit 2023-24 të Ligës së Kampionëve u shit për 152.500 dollarë.
Në total, këto tre artikuj të lidhur me Lamine Yamalin gjeneruan 1.049.200 dollarë në ankand, duke konfirmuar se 19-vjeçari është bërë një nga emrat më të kërkuar edhe në tregun e memorabilive sportive.
