Shpërndaje në: Agjencia kryesore ruse e sigurisë së brendshme ka njoftuar të mërkurën se Pavel Durov, themeluesi i aplikacionit të mesazheve Telegram, është akuzuar për “ndihmë ndaj terrorizmit” dhe është përfshirë në listën ndërkombëtare të personave në kërkim.
Administrata e Telegramit nuk i ka hequr “kanalet, bisedat dhe bot-et e shumta” që përdoren në mënyrë aktive nga agjencitë ukrainase të inteligjencës, si dhe nga organizatat terroriste e ekstremiste, për të përgatitur dhe koordinuar akte sabotimi e terrorizmi, vrasje masive dhe mashtrime kibernetike në Rusi, thuhet në deklaratën e agjencisë të së mërkurës.
Shërbimi Federal i Sigurisë njihet gjithashtu me akronimin FSB. Akuzat kundër Durovit vijnë në një kohë kur Rusia po kufizon Telegramin, një nga aplikacionet më të njohura të mesazheve në vend.
Në fillim të këtij viti, Durov ka njoftuar se autoritetet ruse kishin nisur një hetim penal ndaj tij dhe i akuzoi ato për trillimin e preteksteve për të kufizuar qasjen në Telegram, si pjesë e një përpjekjeje për të “shtypur të drejtën për privatësi dhe lirinë e shprehjes”.
