Një fukara shpirttrazuar, mbeti krejt i dëshpëruar. Punë nuk gjente askund, tha:- Do t’i jap jetës fund! Hipi në një lis skaj malit, për t’i dhënë fund hallit. Poshtë zëri i erdhi ngadalë: – O more burrë, ç’ke vallë? Ishte Kryeengjëlli vetë, me fytyrë e shpirt të qetë: – Pse kërkon të ikësh sot, kur s’të ka zënë asnjë lot? – S’jam i sëmurë, as n’bela, por, fund e krye fukara.
Hallin tim s’e qajnë aspak, më shkon jeta tym e flakë. Xhebraili buzëqeshi pak, tha: – Mos u bënë merak! Kam një ofertë për ty sot, që mos të derdhësh më lot. Kur sëmuret ndonjë njeri , më sheh mua te koka i rri. Thuaj: – Na qenka me fat, ende vdekjen s’e ka ngat. Por kur dal te këmbët unë, mos e zgjat e mbaro punë. Shkurt u thua mos u mërzitni: – Këtij udhëtimi i erdhi te fyti.
Njerëzit s’dinë ç’ka sheh ti, do të japin me grushte flori. Ti veç fjalën e mbanë drejt, xhepat mbushi shpejt e lehtë. La vetëvrasjen pas pajtimit, u bë mjeshtër i parashikimit. Shkonte shpejt e me nxitim, si urgjenca për në shërbim. Seç u bë me ara, stane, male, me tërë t’mirat e jetës ideale. Nga opingat e grisura dje, veshi çizmet me lëkurë të re.
Por, koha s’pyet për pasuri, as për emër dhe madhështi. Kur dalin thinjat e pleqërisë, mbase vjen dita e llogarisë. Hyn Xhebraili te këmbët i rri, plaku thirri:- Oj grua, ku je ti?! Ma kthe kokën, në anën tjetër, fryma në grykë më ka mbetur. Por, Xhebraili, si për shaka, prapë te këmbët i del pa nda’. Gruaja përsëri e rrokullisi, shtratin krejt e përmbysi.
Në fund Xhebraili qeshi, fjalën butë ia përsheshi: – Ktheje nga ta kthesh kot, erdha shpirtin t’ia marr sot. Po deshe rrotulloje krevatin, hiqi këmbët, ndërro’ shtratin. Bëje rreth si rrota e mullirit, si tramaku në lesh të kallirit. Ora kur vjen, nuk pyet njeri, as pasuri, as parti, as qeveri. Kur shpirti për fyti të kapë, s’ka forcë që e kthen prapë.
Plaku mbylli sytë ngadalë, heshti, pa thënë asnjë fjalë. Kuptoi, foli veç për të tjerë, e për vete kurrë, asnjëherë!
