Autoritetet e Kosovës po vazhdojnë për të dytën ditë radhazi gërmimet në Kalludër, ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 23 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Vendin ku po zhvillohet operacioni e vizitoi të martën ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai deklaroi se zbulimi i varrezës masive është rezultat i punës intensive të institucioneve të sigurisë dhe bashkëpunimit me qytetarët. “Pas një pune intensive të institucioneve të sigurisë, por edhe bashkëpunimit me qytetarët, kemi zbuluar një varrezë masive me mbetje të qytetarëve tanë.
Puna po vazhdon si në aspektin e gërmimeve, ashtu edhe në atë hetimor, për identifikimin e viktimave dhe nxjerrjen para drejtësisë të përgjegjësve. Nuk do të ndalemi deri në gjetjen e trupit të fundit të personit të zhdukur” , tha Sveçla. Në kuadër të hetimeve, Prokuroria Speciale ka ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen se kanë lidhje me rastin.
Sipas Prokurorisë Speciale, procesi i ekshumimit po kryhet në bazë të urdhrit gjyqësor dhe në përputhje me standardet profesionale dhe ndërkombëtare për identifikimin e mbetjeve mortore dhe ruajtjen e provave materiale.
“Procesi po zbatohet në përputhje me urdhrin gjyqësor dhe standardet profesionale e ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e institucioneve përgjegjëse dhe ekspertëve përkatës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. Ky aktivitet po zhvillohet në kuadër të dy rasteve të hetimit penal që po udhëhiqen nga Prokuroria Speciale.
Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje shtesë lidhur me identitetin e mbetjeve mortore apo natyrën e rasteve nën hetim. Prokuroria ka bërë të ditur se informacionet e mëtejshme do të publikohen vetëm në masën që nuk dëmtojnë integritetin e procedurës penale, procesin e identifikimit dhe të drejtat e familjarëve të viktimave.
Në fund të njoftimit, institucionet ritheksuan përkushtimin për zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe familjet e tyre. Ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se mund të jetë e shqiptarëve që kishin ikur për në Mal të Zi. Sipas tij, në atë grup u vra edhe vëllai i Halit Beranit.
“Për sa i përket kësaj varreze, mund të jetë e shqiptarëve që kishin ikur për në Mal të Zi. Kanë qenë 25 veta, por vetëm dy kanë shpëtuar. Ajo kohë ishte periudha e bombardimeve të NATO-s. Por, sa kam dëgjuar pas luftës, është zhvilluar edhe hetim nga ZKZ për këtë rast. Nëse është kjo varreza e tyre, aty duhet të jenë 22 ose 23 kufoma.
Nuk jam i sigurt, sepse ne i kemi me emra e mbiemra në këtë grup. Në atë grup u vra edhe vëllai i Halit Beranit. Kanë shpëtuar çuditërisht vetëm dy veta: një civil nga Kosterci, që i kishte prirë grupit dhe kishte shpëtuar, si dhe ish-kryetari i LDK-së për Mitrovicën pas luftës, Faruk Spahiu.
Unë personalisht, si i treti pjesëtar i ZKZ-së, e kam pyetur zyrtarisht pas luftës, por ai nuk ka qenë i qartë në shpjegim. Pastaj dikush e detyroi të thoshte se po i bëhej presion vetëm pse ishte i LDK-së, gjë që nuk ishte e vërtetë. Ai grup prej 23-24 personash ishte nisur të ikte në Mal të Zi.
Ishin paguar dy persona për rrugën, por kishin rënë në pritë të rezervistëve serbo-malazezë, ku kishte edhe persona të nacionalitetit boshnjak me uniformë serbe. Këta njerëz janë pushkatuar nga ushtria dhe rezervistët serbë”, deklaron Miftari për “Bota sot”. Ai ka rrëfyer më tepër rreth këtyre gërmimeve, duke thënë se të vërtetën nuk e do askush.
“Kur kishin filluar bombardimet, ne në UÇK kemi njoftuar qytetarët e arsimuar, doktorë, profesorë, aktivistë e humanistë në Mitrovicë dhe Vushtrri që të largoheshin drejt territoreve ku ishte UÇK-ja dhe t’i bashkoheshin asaj, sepse Serbia kishte plan t’i vriste të gjithë shqiptarët e arsimuar dhe me integritet.
Shumica e atyre që u larguan dhe iu bashkuan UÇK-së janë gjallë edhe sot dhe u bënë pjesëtarë të saj. Ndër ta ishte edhe doktori Bajram Rexhepi, i cili iu bashkua Brigadës 142 dhe, si mjek, ka shpëtuar dhjetëra e qindra jetë civilësh dhe ushtarësh tanë. Më vonë ai u bë kryetar i Mitrovicës dhe kryeministër i Kosovës.
Të vërtetën nuk e do askush, por edhe një mjek me mbiemrin Berisha, pjesëtarët e policisë ushtarake të qytetit të Mitrovicës e kishin njoftuar se duhej të largohej nga qyteti, sepse ishte në listë për vrasje dhe cak i policisë serbe. Ky mjek nuk e kishte dëgjuar thirrjen tonë për t’u larguar; ndoshta ishte ndikuar edhe politikisht, pasi ishte i LDK-së, siç ishte shumica e Kosovës atëherë.
Ai u vra pas një apo dy ditësh në Mitrovicë nga policia serbe, e udhëhequr nga një polic me emrin Ratko; mbiemri nuk më kujtohet. Megjithatë, ne e kemi në hetim me emra e mbiemra, bashkë me dhjetëra policë të tjerë që kanë vrarë civilë shqiptarë në Mitrovicë dhe Vushtrri gjatë luftës”, thekson ish- eprori.
Në fund, ai përmend edhe emra të cilët kanë ndikuar në shpëtimin e shumë intelektualëve, gjersa përfundon se kurrë nuk ka pasur vullnet politik për t’i ndjekur, zbardhur dhe dënuar të gjitha krimet. “Unë, Naim Miftari, ish-luftëtar dhe epror i UÇK-së, me urdhër nga komanda kam qenë prezent gjatë gjithë bombardimeve në Mitrovicë dhe rrethinë.
Kam qenë pjesë aktive e rezistencës dhe luftës edhe brenda vetë qytetit të Mitrovicës. Për të vërtetën, për çdo të dhënë dhe për çdo shkronjë informacioni, disa prej tyre edhe sekrete, mbaj përgjegjësi morale dhe ligjore para shtetit tonë dhe para Zotit.
Kam harruar ta cek se në shpëtimin e shumë intelektualëve në Mitrovicë dhe Vushtrri kanë merita komandantët Enver Oruqi, Frahman Rama, Ferki Aliu, Mensur Kosumi, Gani Imeri dhe Besim Zymberi.
Deri më tani kurrë nuk ka pasur vullnet politik, as nga ndërkombëtarët e as nga politikanët dhe pushtetarët tanë, për t’i ndjekur, zbardhur dhe dënuar të gjitha krimet, si ato gjatë luftës, ashtu edhe disa pas luftës. Të dhëna për ndjekje ka pasur me bollëk ”, përfundon Miftari.
