Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar nga një muaj paraburgim dy të dyshuarve për krime lufte në komunën e Zubin-Potokut. Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se kanë marrë pjesë në vrasje, maltretim e dëbim të popullsisë civile.
E gërmimet për varrezë masive të nisura një ditë pas arrestimit të tyre, po vazhdojnë Nga një muaj paraburgim ua ka caktuar Gjykata Themelore në Prishtinë, dy të pandehurve me inicialet M. J. dhe M. B., të dyshuar për krime lufte në Kalludër të Zubin-Potokut, ku pas arrestimit u konstatua se ndodhet edhe një varrezë masive me viktima të luftës.
Në kërkesën për paraburgim, sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se kanë kryer krime ndaj popullsisë civile, në rajonin e Mitrovicës, duke vrarë 23 civilë shqiptarë. E sipas gjykatës, paraburgimi është i nevojshëm.
“Duke marrë parasysh se të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të paarritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka thënë se ata dyshohen se kanë marrë pjesë në vrasje, dëbim e maltretim.
“Prokuroria ka paraqitur në Gjykatë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të dyshuarve për veprën penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’. Të pandehurit dyshohet se gjatë periudhës së luftës së fundit në Kosovë, kanë qenë të përfshirë ne veprime që përfshin vrasje, maltretim dhe dëbim të popullsisë civile”, ka thënë Luta.
Gërmimet në fshatin Kalludër, ku dyshohet se janë mbetjet mortore të 23 intelektualëve nga Mitrovica, nisën një ditë pas arrestimit të dy serbëve M. J. e M. B.
Edhe LAJMET E MBRËMJES 17 sht 2025 Paraburgim Naskoviqit, i dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e 25 civilëve në Zhegër Luta ka bërë thirrje gjithashtu që të bëhet kujdes me publikimin e informacioneve të pakonfirmuara në lidhje me gërmimet që po zhvillohen në Zubin-Potok për dyshimin për varrezë masive, në shenjë respekti dhe konsiderate për familjarët e viktimave.
“Nuk mund të komentojmë procesin që është duke u zhvilluar rreth gërmimeve në Zubin-Potok. Çdo konfirmim mund të bëhet vetëm pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe identifikimit nga institucionet kompetente.
I bëjmë thirrje të gjithëve, publikut, mediave, që të ruhen nga publikimi i çdo informacioni të pakonfirmuar, në shenjë respekti ndaj viktimave, identitetit të tyre, familjarëve të tyre dhe këtij procesi hetimor”, ka deklaruar Luta. Vendin ku po kryhen gërmimet, të martën e të mërkurën e kanë vizituar ministra e zyrtarë të tjerë shtetërorë.
