Adem Salihaj: Përçarja në LDK mund të pamundësojë koalicionin me

0%

Në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka folur për zhvillimet e fundit brenda LDK-së, pas deponimit të nënshkrimeve për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë. Ai ka komentuar nismën për ndryshime në parti, duke vlerësuar se kriza e brendshme do ta dobësojë LDK-në pavarësisht epilogut.

Salihaj ka folur edhe për mundësinë e shkarkimit të Lumir Abdixhikut, pezullimin e bisedimeve për formimin e Qeverisë dhe ndikimin që kjo situatë mund të ketë në procesin e formimit të institucioneve të reja të Kosovës. Intervista e plotë: “Bota sot” : Lideri i LDK-së ka njoftuar se janë deponuar 148 nënshkrime për mbajtjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të partisë.

Si e komentoni këtë zhvillim? Si i vlerësoni veprimet e delegatëve të LDK-së? A mendoni se kryetari i LDK-së duhet të shkarkohet? Adem Salihaj: Janë dispozitat statutare që e përcaktojnë se, nëse e kërkon një e treta e delegatëve, duhet të thirret Kuvendi i LDK-së. Se a do të shkarkohet Abdixhiku nuk e di, por mundësia ekziston, sepse 158 delegatë janë mjaft shumë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Bota sot” : Çfarë mendoni, kjo nismë do ta forcojë apo do ta dobësojë LDK-në politikisht? Adem Salihaj: Kjo nismë me siguri do ta dobësojë LDK-në, pavarësisht epilogut. Kur gjysma është kundër gjysmës, e presin ditë të këqija partinë. “Bota sot”: Ndërkaq, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se është detyruar t’i pezullojë bisedimet për krijimin e Qeverisë. Si e vlerësoni këtë vendim?

Adem Salihaj: Mendoj se bisedimet për koalicion nuk kanë kuptim, kur grupi parlamentar nuk është unik. Vetëm me gjysmën e deputetëve të LDK-së nuk mund të zgjidhet presidenti. “Bota sot” : A nënkupton pezullimi i këtyre bisedimeve se vendi mund të përballet me një bllokadë politike edhe sa i përket formimit të Qeverisë?

Adem Salihaj: Kuvendi mund të konstituohet dhe qeveria mund të formohet, por efekti është zero. Pa zgjedhjen e presidentit, Kosova shkon sërish në zgjedhje. Kjo situatë paraqet një krizë të rëndë komprometuese për Kosovën. “Bota sot”: Pse mendoni se pikërisht në këtë periudhë është iniciuar nisma për shkarkimin e Abdixhikut?

Adem Salihaj: Nuk e di a ka ndonjë arsye të veçantë, ndoshta qëllimi është që të pamundësohet një koalicion me Vetëvendosjen. “Bota sot”: Sa mund të ndikojë kriza e brendshme në LDK në procesin e formimit të institucioneve të reja? Adem Salihaj: Padyshim se kriza e brendshme e LDK-së e thellon krizën institucionale, sepse pothuajse është i pamundur formimi i institucioneve.

“Bota sot”: Nëse Kuvendi i Jashtëzakonshëm vendos për ndryshime në udhëheqje, si mund të ndikojë kjo në raportet e LDK-së me partitë e tjera politike?

Adem Salihaj: Ndërrimi i kryetarit vetvetiu nuk duhet të ndikojë në raportet e LDK-së me partitë politike, por në këtë rast do të ndikojë, sepse krahu tjetër është kundër koalicionit me Vetëvendosjen dhe për koalicion me bllokun opozitar, përfshirë edhe Listën Serbe.

“Bota sot”: Si e parashikoni zhvillimin e ngjarjeve në ditët dhe javët në vijim, si brenda LDK-së ashtu edhe në procesin e formimit të institucioneve? Adem Salihaj: LDK-ja, për fat të keq, do të vazhdojë të dobësohet, ndërsa kriza institucionale do të thellohet.

Burimi: Bota Sot