Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, ka reaguar pas aksidentit tragjik të ndodhur në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen” në Prishtinë, ku një punëtor humbi jetën, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar.
Përmes një sqarimi për opinionin publik, Brestovci ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka uruar shërim të shpejtë për punëtorin e lënduar, duke sqaruar ndarjen e kompetencave mes institucioneve përgjegjëse për sigurinë në punë dhe inspektimin e ndërtimeve.
Sipas tij, verifikimi i sigurisë teknike të vinçit, kontrolli i dokumentacionit teknik, inspektimi i pajisjeve dhe mbikëqyrja e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë janë kompetencë e Inspektoratit Qendror të Punës.
“Inspektorati Qendror i Punës është institucioni përgjegjës për të verifikuar nëse vinçi i është nënshtruar kontrolleve të nevojshme teknike, nëse posedon dokumentacionin përkatës, nëse operatori ka autorizimet e nevojshme dhe nëse punëdhënësi ka zbatuar standardet ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë”, thuhet në sqarimin e Inspektoratit të Kryeqytetit.
Ndërkaq, Inspektorati i Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, sipas Brestovcit, ushtron kompetencat e tij në bazë të Ligjit për Ndërtim, duke mbikëqyrur respektimin e kushteve të lejes së ndërtimit, përputhshmërinë e punimeve me projektin e miratuar dhe zbatimin e legjislacionit përkatës.
Inspektorati i Kryeqytetit ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Inspektoratin Qendror të Punës dhe institucionet tjera kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Hetimet për rastin pritet të përcaktojnë shkaqet e sakta që çuan në aksidentin me pasoja fatale në vendpunishten ndërtimore në Prishtinë./Telegrafi.
