Mbyllet për qarkullim një segment i rrugës “Ibrahim Rugova” në Gjilan

0%

Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni ka njoftuar se qendra e Gjilanit po hyn në një fazë të re transformimi. Për shkak të punimeve në kuadër të projektit të integruar për Bulevardin, sheshin e ri dhe parkingun nëntokësor, nga data 28 korrik të këtij viti do të mbyllet për qarkullim një segment i rëndësishëm rrugor.

Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës , segmenti i rrugës “Ibrahim Rugova”, nga rrethrrotullimi te Hotel “Kristal” deri te rrethrrotullimi te Teatri i Qytetit, do të jetë i mbyllur për qarkullimin e të gjitha automjeteve deri në përfundimin e punimeve. “Mbyllja bëhet për shkak të punimeve për projektin e integruar të Bulevardit, sheshit të ri dhe parkingut nëntokësor”, thuhet në njoftim.

Kryetari Hyseni ka bërë apel te qytetarët që të respektojnë sinjalizimin e përkohshëm rrugor dhe të tregojnë mirëkuptim gjatë realizimit të këtij projekti. “Qendra e Gjilanit po transformohet!”, ka shkruar Hyseni, duke theksuar rëndësinë e këtij investimi për modernizimin e hapësirave publike dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Projekti i ri synon të krijojë një qendër më funksionale dhe moderne, me organizim më të mirë të qarkullimit urban, hapësira të reja publike dhe zgjidhje më efikase për parkim. Autoritetet komunale kanë kërkuar nga qytetarët që gjatë kësaj periudhe të përdorin rrugët alternative dhe të respektojnë udhëzimet e trafikut, me qëllim që punimet të zhvillohen pa pengesa.

Burimi: Telegrafi