Irani ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk mund të vendosin se kur do të ketë luftë apo paqe mes dy vendeve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, tha se çdo vendim për bisedime me Uashingtonin do të merret vetëm në bazë të interesave kombëtare të Iranit.
“Nuk do ta lejojmë Shtetet e Bashkuara të përcaktojnë kohën e luftës dhe të paqes”, deklaroi Baghaei në një konferencë për media. Ai shtoi se Teherani do të vazhdojë të mbrohet “për aq kohë sa të jetë e nevojshme” dhe se veprimet ushtarake amerikane kanë dëmtuar kushtet për negociata serioze, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Reagimi vjen pasi Trump deklaroi se Irani kishte kërkuar bisedime, si përmes ndërmjetësve ashtu edhe drejtpërdrejt, duke paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA-ja do t’i rikthehet një operacioni të gjerë ushtarak. Ndërkohë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike, ngërçi për Ngushticën e Hormuzit mbetet i pazgjidhur.
Irani këmbëngul se ka autoritet mbi këtë rrugë strategjike detare, ndërsa SHBA-ja dhe aleatët e saj e kundërshtojnë këtë qëndrim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
