LVV-LDK, mes pritjeve për marrëveshje dhe dyshimeve për zgjidhje

0%

Me afrimin e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit, pritjet për arritjen e ndonjë marrëveshjeje ndërpartiake që i siguron vendit institucione funksionale, vetëm sa po shtohen. Në këtë situatë, vëmendja është përqendruar te Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës .

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, aktualisht nuk duken pjesë e skenarit për një marrëveshje me LVV-në.

Deklaratat publike pas takimit dyorësh mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku i shoqëruar nga ish-presidentja Vjosa Osmani kanë lënë të kuptohet se LVV-ja po e sheh LDK-në si partnerin kryesor për arritjen e një zgjidhjeje institucionale, mirëpo po pret që kjo parti ‘t’i tejkaloj problemet e brendshme’.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së mbetet e vështirë për t’u realizuar. Sipas tyre, përçarjet e brendshme në LDK, mungesa e një pozicioni të unifikuar dhe llogaritjet politike të partive mund ta komplikojnë arritjen e një marrëveshjeje.

Derisa LDK-ja ka caktuar 30 korrikun për Kuvendin e Jashtëzakonshëm ku pritet përfundimisht të dihet se a vazhdon Abdixhiku të jetë kryetar ose jo, negociatat për marrëveshje me Vetëvendosjen janë pezulluar. Por, cilat janë arsyet që LVV-ja po e sheh vetëm LDK-në si partner?

Koci: Deklaratat e LVV-së për bashkëpunim me LDK-në janë betejë për narrativë Politologu Melazim Koci thotë se deklaratat e eksponentëve të lartë të Vetëvendosjes për gatishmëri për bashkëpunim me LDK-në nuk kanë kuptim praktik dhe janë pjesë e betejës politike për të fituar narrativën para opinionit publik.

“Pohimet e eksponentëve të lartë të Vetëvendosjes për gatishmëri që të bashkëpunojnë me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve nuk kanë asnjë kuptim. Ato janë pjesë e betejës se kush do ta fitojë narrativën para opinionit për fajësimin e palës tjetër për shkuarje në zgjedhje tjera”- ka thënë Koci për Kallxo.com.

Sipas tij, pavarësisht epilogut të Kuvendit të LDK-së, kjo parti nuk mund të ketë rol vendimtar në krijimin e institucioneve, pasi përçarja e brendshme do ta përgjysmonte fuqinë e saj parlamentare.

“Fitorja e njërit apo krahut tjetër brenda LDK-së, përgjysmon numrin e deputetëve të kësaj partie dhe rrjedhimisht ajo nuk është ‘lojtar’ në çfarëdo kombinatorike për zgjedhjen e presidentit, sepse asnjëri krah nuk do të ketë më shumë se 10 deputetë nga gjithsej 18”- ka deklaruar ai.

Koci vlerëson se LDK-ja mund të bëhet faktor përcaktues vetëm nëse arrin të unifikojë qëndrimet e saj në Kuvend. “LDK-ja mund të bëhet faktor përcaktues në formimin e institucioneve vetëm nëse unifikohet në Kuvend, pra që një palë e tretë (jashtë dy grupimeve aktuale) merr udhëheqjen e partisë dhe unifikon 18 mandatet e LDK-së. Por, kjo duket më shumë utopi se realitet”- ka thënë ai.

Koci ka kritikuar edhe përjashtimin e PDK-së dhe Aleancës nga diskutimet, duke thënë se kjo tregon mungesë gatishmërie të Vetëvendosjes për një zgjidhje më të gjerë. “Përjashtimi i PDK dhe AAK ka të bëjë me mosgatishmërinë e VV-së që të bashkëpunojë me këto dy parti dhe dëshmon se VV nuk është entuziaste në formimin e institucioneve të reja”- ka deklaruar ai.

Koci thotë se nëse LVV-ja do të kishte gatishmëri për të krijuar institucionet, do të bënte diçka tjetër: do të kërkonte nga opozita që ata të bashkuar të ofrojnë 3-5 kandidatë partiakë ose apartiakë për President/Presidente dhe pastaj të zgjedhte dy prej tyre për t’i nxjerrë në votim në Kuvendin e Kosovës.

“Pra, Qeverinë do ta kishte VV pa bashkëqeverisje, por edhe kryetarin e Parlamentit – Presidenti do t’i shkonte opozitës. Në këtë variant të fituar do të dilnin të gjithë: Kosova do të përballonte krizën, VV do të siguronte qeverisje 4-vjeçare, ndërsa opozita do të siguronte një levë të pushtetit”- shtoi ai.

Sipas tij, tendencat e partisë së parë për të kapur të gjitha pushtetet çojnë në autokraci. Ai thekson se ‘pikërisht evitimin e prirjeve drejt autokracisë’ e ka kuorumi në Kushtetutë.

Arifi: LVV-ja e sheh LDK-në si më të lehtë për bashkëpunim Profesori i shkencave politike në UBT, Dritëro Arifi, vlerëson se insistimi i Vetëvendosjes për një marrëveshje me LDK-në lidhet me perceptimin se kjo parti është më e lehtë për t’u menaxhuar politikisht.

“Unë mendoj që insistimi i Vetëvendosjes që me çdo kusht dhe në çdo mënyrë të bëhet një koalicion me Lidhjen Demokratike ka të bëjë vetëm me një fakt, sepse e kanë vërejtur që manovrimi me këtë parti është më i lehtë”- ka thënë Arifi për Kallxo.com. Sipas tij, një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së është e vështirë edhe për shkak të qëndrimeve të disa deputetëve të kësaj partie.

“Disa deputetë, të paktën ata që njihen për kredibilitet, integritet dhe profesionalizëm, nuk besoj që në asnjë variant do ta votojnë një koalicion të mundshëm LVV-LDK”- ka deklaruar ai. Pavarësisht dyshimeve të ngritura nga analistët, figura të Vetëvendosjes kanë shprehur optimizëm se një marrëveshje me LDK-në mund të arrihet së shpejti.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të partive, por ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese. “Natyrisht, unë nuk merrem me problemet e brendshme të partive politike, janë të tyret, por duhet ta kemi parasysh që ne kemi afatet kushtetuese për të cilat duhet të veprojmë.

Prandaj, edhe nuk e kam mirëpritur vendimin për pezullim të këtyre takimeve, sepse megjithatë, nga takimi i parë që kam pasur, duket që ka qenë pak më ndryshe sesa në takimet që kishim në proceset e kaluara në përpjekjen e asaj kohe për të pasur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit”- tha Haxhiu në përgjigje për Kallxo.com gjatë konferencës për media më .

Ndërsa nënkryetari i LVV-së, njëherësh zëvendëskryeministër në detyrë, Glauk Konjufca, ka thënë se këtë herë sheh një gatishmëri më të madhe nga LDK-ja për bashkëpunim. “LDK-ja ka autonomi të plotë për të vendosur për punët e saj të brendshme.

Ne nuk jemi këtu për t’i komentuar ato, as për të këshilluar asgjë, sepse LDK-ja është një parti që ekziston në Kosovë për një kohë të gjatë dhe besoj se ata dinë si t’i rregullojnë punët e tyre.

Por, sa i përket bashkëpunimit me ne, më është dukur se pas takimit të Kurtit me Osmanin dhe Abdixhikun, këtë herë diskutimi kishte një natyrë tjetër dhe kjo na ka bërë më optimistë se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”- ka deklaruar ai i pyetur nga Kallxo.com në konferenën e mbajtur më .

LDK-ja ka caktuar 30 korrikun si datën kur do të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm, ku pritet të qartësohet nëse Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të udhëheqë partinë. Në të njëjtën kohë, Abdixhiku ka thënë se vendi ka nevojë sa më shpejt për institucione funksionale, stabilitet politik dhe përgjegjësi shtetërore.

PDK dhe AAK jashtë skenarit aktual Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja nuk duken aktualisht pjesë e diskutimeve për një marrëveshje me Vetëvendosjen. Takimi me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, përfundoi me qëndrimin se kjo parti do të vazhdojë të mbetet në opozitë, ndërsa Hamza ka deklaruar se nuk ka pasur ofertë për bashkëqeverisje nga Albin Kurti.

“Bazuar në bisedat që kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është të qëndrojmë në opozitë në këtë mandat”- tha Hamza pas takimit me Kurtin më më . Duke u përgjigjur për mundësinë për marrëveshje që zgjidh edhe çështjen e presidentit, Konjufca ka thënë se qëndrimi i PDK-së mbetet i njëjtë. “PDK më shumë qëndron në pozicione të cilat i kemi parë më herët.

Ato janë pozicione të vjetra që u shprehën edhe në takimin me kryeministrin Kurti”- ka deklaruar ai në konferenën e mbajtur më .

Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, nuk pranoi të marrë pjesë në takimin me Kurtin dhe ka përsëritur qëndrimin se Vetëvendosja duhet t’i plotësojë gjashtë kërkesat e kësaj partie, ndërsa AAK-ja nuk do ta pranonte një president partiak nga partia në pushtet. Aleanca ka gjashtë kërkesa për partinë në pushtet.

Ajo kërkon që institucionet e reja të pranojnë menjëherë projektin strategjik të gazsjellësit amerikan, të nisin procedurat për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr dhe të rrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, me qëllim që, sipas tij, të lehtësohet funksionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Gjini ka kërkuar gjithashtu lirimin e tokave të punuara nga tatimi në pronë për të nxitur bujqësinë, si dhe buxhetimin e plotë të rrugëve për Gjilanin, Pejën, Gjakovën, Mitrovicën dhe Podujevën. Ai ka thënë se për Prishtinën duhet të ndahen nga 800 milionë deri në 1 miliard euro investime në infrastrukturë, duke vlerësuar se kryeqyteti po bëhet “i pajetueshëm”.

Burimi: Kallxo