Personi që mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Prishtinë ndodhet jashtë rrezikut për jetë, pas trajtimit mjekësor të marrë në Qendrën Emergjente. Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, për Sinjalin ka bërë të ditur se i plagosuri fillimisht është trajtuar në Qendrën Emergjente, ndërsa më pas është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit.
Sipas tij, gjendja shëndetësore e pacientit është stabile pas ndërhyrjes së mjekëve. Rasti ka ndodhur në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku dyshohet se dy vëllezër janë të përfshirë në incidentin me armë zjarri. Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin dhe po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të plagosjes. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
