Bashkimi Europian do të nisë nga 2 gushti zbatimin e rregullave të reja për transparencën e inteligjencës artificiale, duke detyruar kompanitë që të etiketojnë qartë çdo përmbajtje të krijuar ose të manipuluar me AI. Masat janë pjesë e Aktit Europian për Inteligjencën Artificiale, i cili po hyn në fuqi në faza.
Sipas rregullave të reja, chatbot-et duhet të identifikohen qartë si sisteme të inteligjencës artificiale, ndërsa imazhet, videot, tekstet dhe materialet audio të krijuara me AI duhet të mbajnë etiketa ose shenja digjitale, si watermark-e, që lejojnë identifikimin e tyre. Kompanitë që nuk respektojnë këto detyrime rrezikojnë gjoba të larta.
Komisioni Europian argumenton se zhvillimi i inteligjencës artificiale gjeneruese ka rritur ndjeshëm rrezikun e dezinformimit, pasi përmbajtje të rreme mund të prodhohen dhe të shpërndahen në shkallë shumë të gjerë. Një shqetësim i veçantë mbeten “deepfake”-et, materiale që duken autentike, por janë krijuar ose manipuluar nga inteligjenca artificiale.
Rregullat zbatohen për përmbajtjet e prodhuara për qëllime profesionale, ndërsa përdorimi personal i AI-së nuk preket. Edhe tekstet informuese për çështje me interes publik do të duhet të etiketohen nëse janë krijuar nga AI pa mbikëqyrje editoriale njerëzore.
Sistemet ekzistuese kanë afat deri më 2 dhjetor për t’u përshtatur me kërkesat e reja, ndërsa përjashtohen veprat artistike, krijuese, satirike dhe ato të zhanrit fiksion. Ndërkohë, platformat e mëdha teknologjike kanë nisur tashmë zbatimin e këtyre praktikave.
TikTok kërkon prej vitesh etiketimin e përmbajtjeve të krijuara me AI, Meta përdor etiketën “AI Info” në Facebook dhe Instagram, ndërsa Google ka nënshkruar kodin europian të transparencës dhe po bashkëpunon me kompani si OpenAI, Nvidia dhe Apple për zhvillimin e standardeve të përbashkëta të identifikimit të përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
