Ish-trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, ka reflektuar për periudhën e tij në “Old Trafford”, duke pranuar se ka bërë “shumë gabime” dhe se eksperienca në klubin anglez e ka ndihmuar të rritet si trajner dhe si njeri.
Portugezi, i cili kishte fituar reputacion të madh te Sporting Lisbona duke fituar dy tituj kampioni, u emërua trajner i Unitedit pasi klubi pagoi rreth 11 milionë funte për ta liruar nga kontrata. Megjithatë, aventura e tij zgjati vetëm 14 muaj, para se klubi ta shkarkonte atë dhe stafin e tij. Tashmë trajner i Milanit, Amorim foli hapur për periudhën e tij në Angli.
“Gjëja e parë është se tani kjo nuk ka më rëndësi. Është pjesë e historisë. Gjërat ndryshojnë dhe ti fokusohesh te sfida e radhës”, tha ai gjatë konferencës për media në turneun parasezonal të Milanit. Amorim pranoi se nuk fajëson vetëm klubin për dështimin. “Mësova shumë. Është e vështirë të veçosh vetëm një gjë, por ajo që e di qartë është se kam bërë shumë gabime.
Kur reflekton dhe kupton se nuk ishte vetëm faji i të tjerëve, por edhe i imi, atëherë bëhesh trajner dhe njeri më i mirë”. Gjatë periudhës së tij në Manchester United, Amorim u përball me rezultate zhgënjyese, mungesë identiteti në lojë dhe përplasje me drejtuesit e klubit, faktorë që çuan në largimin e tij në fillim të vitit./ Telegrafi
