Gazetari Berat Buzhala ka folur për zhvillimet rreth rastit të profilit të dyshuar të rremë “Lule Gjeli”, duke përmendur emrin e Gent Prokshit dhe duke kërkuar sqarime publike nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Gjatë një paraqitjeje në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Buzhala ka deklaruar se posedon informacione nga burime të tij, sipas të cilave Prokshi është parë duke hyrë në shtëpinë e Kurtit. “Ka burime që Gent Prokshin e kanë parë duke u futur edhe në shtëpinë e kryeministrit. Do të ishte mirë që të flasë kryeministri Kurti dhe të tregojë në çfarë rrethanash është parë”, ka thënë Buzhala.
Ai ka përmendur gjithashtu edhe një deklaratë të ish-zëvendëskryeministrit Haki Abazi, për të cilin ka thënë se ka pranuar se është takuar me Gent Prokshin gjatë kohës sa ishte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deri më tani, nuk ka pasur një reagim publik nga kryeministri Albin Kurti lidhur me këto pretendime. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
