Dashuria nuk është e verbër

0%

Dashuria nuk është e verbër. Ajo nuk verbon. Ajo ndriçon njeriun dhe i tregon kë do. Prandaj askush nuk e kërkon verbërinë, por shumica dashurinë! Padashuria është e verbër. Mungesa e dashurisë verbon, kurrë jo dashuria. Por dashuria nuk është garanci e përjetshme. Ajo na jep mundësinë të duam, jo imunitetin ndaj gabimeve. I verbëri nuk gjen njeri. I dashuruari ka gjetur dikë.

Dashuria nuk matet me kohëzgjatje, por me thellësinë dhe gjurmët që lë në jetën tonë. Dashuria nuk bën hetime e as analiza. Ajo dhuron veten, nuk kërkon. Ajo e shijon çastin ashtu siç është dhe dëshiron që ai të mbetet i tillë.

Sepse dashuria është sintezë e nënvetëdijes sonë, që ngrihet e shpërndahet në vetëdije, herë gradualisht, herë si vetëtimë dhe na bën të ndërgjegjshëm se po biem apo se kemi rënë në dashuri. Ky është çasti i madh i ndriçimit. Kur mbaron faza e ndriçimit, njeriu i zhgënjyer shpesh e fajëson dashurinë për t’iu shmangur përgjegjësisë. Atij i pëlqen roli i viktimës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Nuk ka njeri të gabuar; ka vetëm sjellje, qëndrime dhe pritshmëri të gabuara. Kur dy njerëz nuk përputhen, problemi qëndron te pritshmëritë, jo te dashuria dhe as te personi. Dashuria përfundon kur përfundon dashuria. Nuk ka dashuri të gabuar; ka vetëm dashuri që zgjasin shumë dhe dashuri që marrin fund. Të dyja janë të drejta, sepse të dyja e ndriçojnë njeriun.

Njëra kur nis, tjetra kur përfundon. Sepse e para ndriçon njeriun, e dyta pritshmëritë. Dashuria që mbaron, i hap rrugën dashurisë në ardhje! As fillimi, as fundi nuk janë gabim. Janë përjetime, mësime dhe përvoja të çmuara. Ndriçim!

Burimi: Bota Sot