Sa herë dëgjoj të flitet mes nesh rreth njëri – tjetrit, në kuptimin e të qënit si njerëz krijues, të mëdhenj apo të vegjël qoftë, apo në përgjithësi rreth vlerave që secili mbart në vetvete, por jo për atë që secili prej nesh krijon në formën e tij të artit, apo jep për shoqërinë si kontribut intelektual të pa paguar, në mendje më vijnë fjalët lapidarë të pinjollit të shquar të Derës Kapidanore të Mirditës, Preng Bibë Dodës.
Thonë se kur dikush iu drejtua atij me nderet e një princi (siç ishte), ai buzëqeshi lehtë. Pyetjes së tjetrit mbi pse – në e asaj buzëqeshje, thuhet se ai i qe përgjigjur afërsisht kështu: Kur jam n’Evropë më nderojnë si princi i Shqipnies, kur zbres në Durrës, më thonë princi i Mirditës, e kur shkoj në Mirditë, thonë: – Erdh ky teshi i Bibë Dodës!
Liria e të shprehurit, si në çdo fushë tjetër, ka bërë që njerëzit t’a shfaqin aftësinë e tyre edhe në letërsi dhe arte. Është kjo pa asnjë dyshim një gjë e mirë e koha do të flasë pro saj sa kohë të ekzistojë njerëzimi e të konsumohet letërsia dhe arti, si bukë e shpirtit. Natyrisht që jo të gjitha krijimet janë me vlera të larta, por të gjitha vlejnë.
Ndërkohë që vlerat e krijimtarisë nuk mund të dalin në pah me paragjykime, kush është ky, e kush eshtë ai, por as me numra vëllimesh të botuara. Mbi të gjitha ato nuk mund të dalin në pah pa i lexuar, pa i ballafaquar, pa folur për to e rreth tyre, për më tepër jo duke bërë biografitë e autorëve, sepse koha e biografive ka përfunduar.
Sistemi i sotëm duke na dhënë lirinë krijuese, si një e drejtë e shejtë e kujtdo, nga ana tjetër ka hequr dorë nga roli i organizmave të tij, sa i takon ekzistencës se mekanizmit të shpërndarjes së librit, puna e institucioneve të specializuara promovuese, nga kritika institucionale letrare e shumëçka tjetër e lidhur ngushtë me hierarkinë e vlerave.
Këtë boshllëk do të duhet t’a mbushnin shkollat e mësuesit e letërsisë, bashkitë e institucionet e kulturës pjesë e tyre, krahas shoqatave e shoqërive të ndryshme të shkrimtarëve. Po ku jemi? Shkollat kanë hequr dorë nga ky rol, jo se nuk kanë specialistë, sidomos gjimnazet e shkollat qytetëse, por se ato mjaftohen me orarin mësimorë dhe kaq!
Pallatet e kulturës e institucionet kulturore në shumicën e bashkive, kanë mundësi të pakta financiare, disa nuk kanë as kapacitetet njerëzore, për shkak se drejtuesit rendin ndaj funksioneve të tjera në dukje më jetike për to, por edhe kur e marrin përsipër këtë rol, rendin drejt veprimtarive megallomane dhe duan të prezantojnë vetëm shkrimtarë të mëdhenj, duke harruar se janë aty në radhë të parë të prezantojnë e lartësojnë vlerat lokale.
Partishmëria, lexo si të qënit ose jo votues i tyre në aspektin politik, nuk është krejt jashtë vëmendjes. Një veprimtari e tillë, në se bëhet, shihet me syrin e votave që sjell, jo të vlerave lokale që prezanton. Ndërkohë që shoqatat e poetëve apo shkrimtarëve e artistëve, ose mungojnë, ose janë tërësisht hermetike, a thua se hapësirat për secilin janë të kufizuara.
Disa prej tyre financohen nga bashkitë e qarqet, e si rrjedhojë janë të vetshtrënguara të bëjnë politikën e tyre. Ndryshe shoh të ndodhë në Kosovën shqiptare. Atje këto klube apo shoqata funksionojnë kudo e janë organizma të gjalla që prezantojnë me të gjitha format e mundshme vlerat krijuese lokale e jo vetëm, duke i dhënë gjallëri edhe komuniteteve lartdashëse atje.
Kisha fatin e madh ta provoja edhe vetë këtë në prezantimin e krijimtarisë sime, gjithsesi modeste, nga klubi i intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë, me . Nuk është se nuk janë zhvilluar promovime të librave të mij edhe në Tiranë, Pukë e Lezhë. Bile disa prej tyre në një nivel të lartë, por promovimi i Klinës nuk më shqitet nga mendja. Pse?
Ata s’më njohin mua as si princ e as si tesh, por lexuan librat dhe referuan. Të njëjtën kënaqësi kam marr edhe nga promovimi i librit me poezi “Kohë e Sëmurë” në shkollën e mesme Gjadër, nën kujdesin e ish – drejtorit të saj, sot Drejtor Rajonal i arsimit parauniversitarë në Lezhë, z. Hasan Muça, në vitin 2021.
Emocione të jashtëzakonshme ndjeva kur shkolla e fshatit tim të lindjes, nën drejtimin e mësueses së talentuar, artistes Angjelina Nikolli, zhvilluan një aktivitet për festën lokale të Domgjonit, atë të Shmarramejt, më , e ku poezitë e At Gjergj Fishtës, Hasan Hasanit e të mijat vinin më ëmbël se kurrë nga zërat e fëmijëve vendas, si vllezër e motra të mijtë më të vegjël.
Kishte aty edhe plot bashkëfshatarë, të ftuar dhe të ardhur enkas për të festuar dhe gjithçka shkoi bukur. Mirëpo gjykimi provincial, i rrudh edhe vlerat e veprimtarive të tilla e plot të tjera si këto, të zhvilluara në Lezhë, Mirditë e nga mirditas jashtë saj.
Edhe aty, si në shumë zona të tjera ku arti e letërsia kohëve të reja mbërrijnë me zor, njerëz që s’i përmbushin dot pritshmëritë e tyre ashtu dhe në mënyrë të kulturuar, vazhdojnë “promovimin” në klube me “teshi i…”. Nuk më ka ndodhur vetëm mua kjo. Nuk ndodh vetëm me letërsinë e artin ky fenomen.
Të qe vetëm për mua dhe vetëm për letërsi e art, si një fushë e veçuar, kurrë s’do t’a kisha ngritur këtë problem, siç po e bëj. Janë me dhjetëra raste kur pas promovimeve të suksesshme të autorëve lokalë, disa raste kam qenë pjesmarrës edhe vetë, pas tyre nisin diskutimet, por tashmë jo letrare, por biografike e tërësisht me gjykime e ngjyrime provinciale.
Më ka ndodhur që edhe diskutantë në promovime që kishin thurur lavde aty, pas tyre kanë nisur avazin e vjetër, bile në ndonjë rast edhe duke deklaruar “krenisht”, që se kishin lexuar fare librin për të cilin patën folur.
Kur flitet për njerëz nga provinca që kanë ushtruar veprimtarinë e tyre jashtë saj dhe kanë qenë të sukseshëm, provincialët nuk mund të mos e mbyllin bisedën me një “Hajt more, se i biri i…është!”, sepse askush e asnkurrë nuk e ka marr mundimin që t’i sjellë vlerat e tij intelektuale apo drejtuese për këta njerëz, në lartësinë e tyre reale.
As me megallomani, as të hyra në ujin e ftohtë provincial. Ja…! Kjo është forma se si terreni i lënë bosh nga ata që mund të bëjnë një promovim të kualifikuar e të diferencojnë vlerat, së paku duke përdorë tri shkallët e mbiemrit “i mirë”, zëvendësohet nga provincializmi biografik i autorëve e personazheve.
Unë jam i njohur për admirimin ndaj poetëve Fishta e Hasan Hasani, për vlerat e tyre të padiskutueshme kombëtare e përtej kombëtare, por edhe sepse ata janë në origjinën e tyre të hershme domgjonas e mirditorë, si edhe unë, e veç nëse më zihet emri në radhë me ta ndokund, jam i knaqur, por komunitetet lokale s’duhet të harrojnë se çdo kohë ka njerëzit e saj e vlerat e tyre i bëjnë nder këtij vendi.
Ja një rast konkret. Kur po kërkoja literaturë për hartimin e librit tim “Domgjoni – Në dokumente, gojëdhëna e histori”, këtu e rreth 10 vite të shkuara, thuajse askund nuk e gjeja të shkruar këtë emër në literaturë, pëveç raporteve e statistikave zyrtare të sistemit të kaluar, edhe pse kërkova shumë e më ndihmuan shumë miq.
Ju gëzova si fëmijë 2 – 3 përmendjeve, kryesisht të Munellës, nga i madhi Fishta, por kaq. Sot, vetëm në librat e shkrimet e mia ai fshat e historia e tij përmendet me qindra herë.
E kjo jo vetëm në librin monografik të sipërcituar, në librin “Fani e fansat, kështjellë e pamposhtur”, por edhe në dhjetëra poezi, në disa shkrime e artikuj, në romanin e botuar “Shtjellë fatesh” e në atë që mbetet vetëm për t’u shtypur e do të vijë së shpejti për lexuesin. Nuk pretendoj për vlera të jashtëzakonshme, por kaq a s’është një vlerë në vetvete, sado e vogël qoftë ajo?
E njëjta gjë mund të pohohet edhe për monografinë “Fani…”, por aty nuk e mohoj se literatura ishte më e pranishme e shkrime letrare rreth tij kanë ekzistuar para e pas librit tim. Tej modestisë, unë jam krenar me librin “Identitet – pasuri gjuhësore e mirditasve”, i pari i atyre përmasave i shkruar deri më sot, që shpresoj se duhet të marrë vëmendje edhe nga bashkia e shkollat në Mirditë.
Kam dëgjuar për një inisiativë të zyrës arsimore atje për mbledhjen e fjalëve të rralla nga nxënësit e jam gëzuar shumë për vlerat e saj, por ndërkohë libri im është aty e shumë prej tyre i ka të strukturuara tashmë, natyrshëm jo si gjuhëtar por si mirditor që krenohem me gjithçka, që përbën vlerë të saj.
Duhet flakur privincializmi që gjen pasqyrimin më të bukur në thënien lapidare të princit Prengë Bibë Doda, e të nxjerrim në pah vlerat tona të vërteta, që përveç faktit se janë mirditore, nuk janë aspak më pak të vyera se ato të zonave të tjera, duke përbërë pjesë të qënësishme të vlerave kombëtare shqiptare.
Shkrimtarë si Ndue Dedaj, Nikollë Loka, Gjon Marku, Bardhok Pulaj, poetët Gjok Beci – i paharruar, apo Viktor Gjikolaj – penëartë dhe një plejadë poetësh e poeteshash, në letërsi, apo Simon Prendi (i ndjerë), Nikoll Toma, Preng Cub Lleshi (i ndjerë), Ndue Gega, Ndue Kaza, Nikollë Loka e të tjerë në histori, nuk kanë asgjë mangut, në mos qëndrojnë edhe më lart, krahasuar me shkrimtarë e historianë katedrash në rang vendi.
Ushtarakë të lartë si gjenerali Dedë Prenga, pedagogë si Pal Nikolli e Pjetër Ndreca, djem si Ermal Nufi – aktualisht Ministër i Mbrojtjes e shumë të tjerë në çdo fushë, janë vlera me të cilët duhet të krenohemi. Ata duhen vlerësuar, promovuar e ngritur lart, aq sa janë, që të mos i zërë hija e keqe e të qënit provincial, e që vjen bukur e tipizuar nga princi mirditorë Prengë Bibë Doda.
Edhe Mirdita s’është e vogël. Mirditorët në trojet e tyre shtrihen edhe në Pukë, Shkodër, Lezhë e Mat, ashtu siç mirditorët e shpërngulur brenda vendit për një jetë më të mirë gjenden kudo, në Kurbin, Krujë, Tiranë e Durrës, pa përjashtuar Prizrenin e Gjakovën kosovare, me rrethina, ndërkohë që emigrantët mirditas janë të suksesshëm kudo, nga Europa deri në Kinën e largët.
Natyrisht se jo të gjithë mund të bëhen princër të Mirditës, por sekush mund të jetë flakadan i vlerave mirditore të çdo fushe, jo për të ulur të tjerët, por për të lartësuar veten. Një dritë, qoftë edhe dritë kandili, ndriçon më shumë duke e ngritur lart.
