Nafta prek 1.72 euro për litër, qytetarët ankohen

0%

Çmimi i naftës ka pësuar rritjen më të madhe që nga muaji maj, duke arritur në 1.72 euro nga 1.69 euro sa ishte dje. Sipas njoftimit të Ministrisë, një litër benzinë kushton 1.51 euro, ndërsa çmimi i gazit nuk ka ndryshuar, duke u tregtuar me 0.60 euro. Çmimin më të lartë që nga nisja e luftës në Lindjen e Mesme, nafta e arriti në Kosovë më 9 prill, kur një litër shitej për 1.91 euro.

Mbushja e rezervuarit të automjeteve po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme për qytetarët e Kosovës. Nga kjo e shtunë, një litër naftë po shitet me çmim prej 1 euro e 72 centësh, ndërsa benzina me 1 euro e 51 centë për litër. Çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar, 60 centë për litër.

Çmimet e reja janë publikuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të energjisë vazhdojnë të jenë të paqëndrueshme, si pasojë e zhvillimeve gjeopolitike dhe pasigurisë në furnizimin global me naftë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Edhe pse çmimi aktual është ende nën nivelin më të lartë të regjistruar gjatë këtij viti, ai mbetet ndër më të lartët e muajve të fundit. Për shumë qytetarë, kjo nënkupton shpenzime më të mëdha për transport dhe një barrë shtesë për buxhetin familjar. “Për standardin tonë nuk është i arsyeshëm. Tash po duhet me dal me i kry, s’po kemi çare”, thekson qytetari i intervistuar.

Qytetarët thonë se rritja e çmimeve të derivateve është e vështirë të përballohet me nivelin aktual të pagave në Kosovë. “Normal, pak shtrenjtë është me rroga të Kosovës, por mos me dal shumë pa ndonjë arsye. Përpos punës, dalim edhe për qejf me pi kafe, por normalisht është pak shtrenjtë me rroga të Kosovës”, tha qytatari.

Megjithatë, disa qytetarë vlerësojnë se ndikimi i çmimeve varet edhe nga mënyra se si përdoret automjeti. “Nëse e shfrytëzon veturën për nevoja, nuk është shtrenjtë”, thekson qytetari. Ndërkohë, ish-kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, thotë se politika e çmimit tavan nuk ka dhënë rezultatet e pritshme.

Në një përgjigje me shkrim, Berjani ka kërkuar shfuqizimin e kësaj mase dhe rikthimin e tregut të lirë. Sipas tij, për shkak të luhatjeve në tregjet ndërkombëtare, është e vështirë të parashikohet se si do të lëvizin çmimet në ditët në vijim. Ai shton se, aktualisht, tregu ndërkombëtar vazhdon të karakterizohet nga një tendencë e rritjes së çmimeve të derivateve.

Burimi: Bota Sot