Kur vakuumi institucional bëhet rrezik Kushtetuese!

0%

Një nga parimet themelore të çdo shteti sovran është se institucionet e tij funksionojnë mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjit, jo sipas ritmit të zhvillimeve politike në një shtet tjetër. Pikërisht për këtë arsye, zhvillimet e fundit lidhur me kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë meritojnë një analizë juridike dhe kushtetuese, jo vetëm politike.

Nuk është problemi kryesor fakti që disa ish-gjyqtarë dhe prokurorë kanë ndryshuar mendim pas afro katër vjetësh. Çështja thelbësore është nëse institucionet kushtetuese të Kosovës kanë vepruar në kohë, në mënyrë të pavarur dhe sipas ligjit, apo nëse krijohet perceptimi se ritmi i vendimmarrjes së tyre ndjek zhvillime politike që burojnë jashtë Kosovës.

Sovraniteti kushtetues nuk është koncept abstrakt Neni 2 i Kushtetutës përcakton se sovraniteti buron nga populli dhe ushtrohet përmes institucioneve kushtetuese. Neni 4 e ndërton Republikën mbi ndarjen dhe balancimin e pushteteve. Ndërsa nenet që rregullojnë sistemin gjyqësor dhe prokurorial garantojnë pavarësinë institucionale të gjykatave dhe prokurorisë nga çdo ndikim politik.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në këtë kuptim, çdo situatë që krijon perceptimin se dinamika e institucioneve të drejtësisë përcaktohet nga zhvillime politike jashtë territorit të Republikës cenon besimin publik në rendin kushtetues.

Heshtja katërvjeçare ngre përgjegjësi institucionale Nëse dorëheqjet kanë mbetur pa trajtim për afro katër vjet, atëherë lindin disa pyetje juridike: A kishte bazë ligjore që ato të mbeteshin pezull? A ekziston ndonjë afat procedural që lejon një situatë të tillë? Kush mban përgjegjësi për mosveprimin? A është cenuar parimi i sigurisë juridike?

Siguria juridike është një nga elementet themelore të shtetit të së drejtës. Statusi i një gjyqtari apo prokurori nuk mund të mbetet për vite të tëra në një gjendje të paqartë. Përputhja kohore kërkon transparencë Është fakt publik se kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve u paraqitën pasi Ministria e Drejtësisë kërkoi trajtimin e kësaj çështjeje. Vetë kjo përputhje nuk provon koordinim.

Por në shkencën juridike, përputhjet kohore që mund të ndikojnë mbi besimin publik imponojnë transparencë të plotë. Prandaj KGJK-ja dhe KPK-ja duhet të publikojnë: datat e sakta të pranimit të çdo dokumenti; kronologjinë e procedurës; bazën ligjore mbi të cilën do të vendosin; arsyet pse çështja nuk është trajtuar më herët.

Pavaresia institucionale nuk është vetëm mungesë ndërhyrjeje Sipas standardeve të Komisionit të Venecias dhe jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, drejtësia duhet jo vetëm të jetë e pavarur, por edhe të duket e tillë në sytë e publikut.

Nëse krijohet përshtypja se vendimmarrja ndryshon vetëm pasi ndryshojnë rrethanat politike, atëherë dëmtohet besueshmëria institucionale, edhe nëse nuk provohet ndonjë ndërhyrje konkrete. A ekziston rreziku i ndikimit të jashtëm? Në aspektin juridik nuk mund të pretendohet ekzistenca e infiltrimit ose koordinimit pa prova.

Megjithatë, është legjitime të shtrohet pyetja nëse mekanizmat institucionalë të sigurisë dhe integritetit janë të mjaftueshëm për të parandaluar ndikime të jashtme.

Nëse një shtet përballet me tentativa të vazhdueshme të një shteti tjetër për të ndikuar mbi funksionimin e institucioneve të tij, përgjigjja nuk duhet të jetë spekulimi, por forcimi i mekanizmave të transparencës, llogaridhënies dhe kontrollit institucional.

Forca e shtetit nuk matet vetëm me ekzistencën e institucioneve, por me aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë të pavarur, të parashikueshme dhe ekskluzivisht në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

Nëse vendimmarrja e institucioneve të drejtësisë krijon perceptimin se lëviz sipas zhvillimeve politike të jashtme, atëherë problemi nuk është vetëm procedural; ai prek vetë nocionin e sovranitetit kushtetues. Prandaj, përgjigjja nuk duhet të jetë polarizimi politik, por transparenca e plotë institucionale.

KGJK-ja dhe KPK-ja kanë detyrimin kushtetues dhe moral të sqarojnë publikisht kronologjinë, bazën ligjore dhe arsyetimin e çdo vendimi. Vetëm kështu mbrohet integriteti i drejtësisë dhe forcohet besimi i qytetarëve se rendi kushtetues i Republikës së Kosovës funksionon sipas ligjit dhe jo sipas rrethanave politike.

Burimi: Bota Sot